Kukësi, Hasi e Tropoja marrëveshje për menaxhimin e mbetjeve, Gjici: Hapen vende pune

schedule09:29 - 29 Dhjetor, 2020

schedule 09:29 - 29 Dhjetor, 2020

Tre bashkitë Kukës, Has dhe Tropojë nënshkruan marrëveshjen për menaxhimin e integruar të mbetjeve. Ky projekt financohet nga Bashkimi Europian me vlerën 6.3 milion euro.

Vendpozitimi do ndërtohet në Kukës dhe do funksionojë në përputhje me legjislacionin shqiptar dhe atë të BE-së. Kryebashkiaku i Kukësit Safet Gjici u shpreh se “ky projekt përveç se do të jetë një menaxhim i integruar i mbetjeve do të ndikojë edhe në ekonominë e verilindjes pasi do të gjenerojë edhe vende të reja pune”. 

“Sot jemi këtu me kryetarët e Bashkisë së Hasit dhe Morinës lidhur me marrëveshjen për menaxhimin e mbetjeve urbane. Ndarja e mbetjeve dhe seleksionimi në një qendër grumbullimi do ndërtohet dhe funksionojë në përputhje me legjislacionin e BE-së. Duke filluar nga 2021 deri në 2033 rreth 30 mijë ton materiale do kalojnë për riciklim. Të gjitha mbetjet e tre bashkive do mblidhen në këtë vend të përcaktuar. Ky projekt do ndikojë në ekonominë e vendit pasi do gjenerojë vende të reja pune”, u shpreh Gjici.

Kjo zonë e menaxhimit do grumbullojë rreth 6500 ton në vit deri në 12-mijë ton mbetje në vit, me një sasi mesatare vjetore prej rreth 8-mijë ton në vit.

Duke filluar nga 2021 dhe gjatë periudhës së planifikuar deri në 2033, rreth 30 mijë ton material të ricikluara do ndahen dhe do kalojnë për rickilim duke shmangur kështu depozitimin fundor të tyre./mv.abcnews.al