Vettingu “rrëzon” Këshillin e Emërimeve në Drejtësi

schedule14:33 - 1 Gusht, 2018

schedule 14:33 - 1 Gusht, 2018

Institucionet e drejtësisë shqiptare po bien një nga një. Pas gjykatës Kushtetuese, jo funksionale nga muaji mars, tashmë janë Gjykata e Lartë dhe Këshilli i Emërimeve në Drejtësi organet e paralizuara nga rezultatet e procesit të Vettingut.

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, institucioni fantazëm i reformës kushtetuese të 2016-s, është zyrtarisht në prag bllokimi. Edhe pse nuk ka ushtruar ende asnjë nga funksionet e ngarkuara nga Kushtetuta dhe Ligji, KED pritet të kthehet në jo-funksionale deri në përfundim të vitit kalendarik. Shkak është bërë shkarkimi nga detyra i anëtarit të Gjykatës së Lartë, njëkohësisht kryetar i KED-së, Artan Broci në shkallën e parë të Vettingut.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dha vendimin ditën e martë për gjyqtarin Broci në mungesë të tij, duke vulosur kështu, jo vetëm fundin faktik të gjykimeve të çështjeve në Gjykatën e Lartë por edhe atë të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Si ABC News ka raportuar më parë, ky institucion, edhe pse i pari i krijuar nga ndryshimet kushtetuese të verës 2016, vetëm në mars të 2018-s ka zhvilluar mbledhjen e tij të parë dhe të vetme.

Ndërsa ndodhet ende në proces përpilimi të rregullores së brendshme, e domosdoshme kjo për funksionimin e këtij organi, duket se vetë ekzistenca e Këshillit është në pikëpyetje. Edhe pse kreu i KED-së Artan Broci pritet të ankimojë vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që firmosi shkarkimin e tij nga detyra, Kolegji i Apelimit, që deri më sot nuk ka rrëzuar asnjë vendim të shkallës së parë të Vettingut, do të vulosë përfundimisht fatin e institucionit.

Fakti qëndron se nga 9 anëtarët e këshillit dhe tre zëvendësuesit e tyre, pesë janë rrëzuar nga KPK, mes tyre edhe anëtari zëvendësues i kryetarit Broci dhe në rast konfirmimi të shkarkimit të këtij të fundit nga Kolegji i Apelimit, Këshilli mbetet jo vetëm pa kuorum por edhe pa kryetar i cili është edhe përgjegjës për thirrjen dhe drejtimin e mbledhjeve.

Në këtë mënyrë Këshilli i Emërimeve në drejtësi mbetet pa kryetar, pa anëtar zëvendësues të tij dhe rrjedhimisht pa asnjë mënyrë funksionimi deri në janar të vitit 2019 kur merr mandatin trupa e re. Peng i këtij institucioni kanë mbetur prej muajsh tashmë edhe kandidaturat e shpallura për Gjykatën Kushtetuese edhe kjo jo-funksionale prej muajit mars./abcnews.al