Mediat nuk janë patriotike. Është kjo akuza më e fundit që presidenti amerikan, Donald Trump, ka bërë ndaj mediave duke ngjallur reagimin e menjëhershëm të botuesit të New York Times. Ky i fundit u shpreh se retorika anti-media e kreut të Shtëpisë së Bardhë është e rrezikshme.
Presidenti amerikan, Donald Trump, sulmoi sërish mediat pas takimit me botuesin e New York Times, A.G.Sulzerberg. Me anë të tre mesazheve në profilin e tij Twitter, kreu i Shtëpisë së Bardhë shprehu se liria e medias kërkon përgjegjësi për raportimin e kujdesshëm të lajmeve. Më pas, ai e cilëson si në agoni industrinë e të përditshmeve, duke iu drejtuar New York Times e Washington Post që sipas tij shkruajnë histori negative për administratën amerikane. Pavarësisht rezultateve të mira sipas Trump. Presidenti amerikan thekson se mediat nuk do të ndryshojnë asnjëherë dhe nuk janë aspak patriotike.
Nga ana e tij, botuesi i New York Times u shpreh se kishte pranuar ftesën e Shtëpisë së Bardhë për t’u takuar me presidentin Trump në mënyrë që të shprehte shqetësimin për retorikën anti-media të presidentit. Sulzberger shtoi se i kishte thënë se gjuha që përdorte ishte e rrezikshme, ndërsa Trump e kishte cilësuar takimin si të mirë dhe interesant. Botuesi i New York Times kishte shtuar se termi “Lajme të rreme” ishte i dëmshëm ashtu si dhe fakti që presidenti amerikan i cilëson gazetarët si armiq të njerëzve./abcnews.al