Roman Shirokov është një emër i njohur në futbollin rus. Ish-mesfushori i kaloi vitet më të bukura te Zenit, veshi 57 herë fanellën e kombëtares (13 gola), teksa në vitin 2016 u tërhoq nga futbolli.
Më pas nisi të punojë si drejtor sportiv te Khimki dhe Dinamo e Moskës. Gushtin e kaluar u bë protagonist negativ në një ndeshje të një turneu amator.
Ish-kapiteni i Rusisë, u acarua për një vendim të arbitrit. Ky i fundit nuk akordoi një penallti dhe Shirokov nisi të protestojë. Gjyqtari e ndëshkoi me të kuqe dhe ish-lojtari nuk u përmbajt.
39-vjeçari u bë i dhunshëm dhe nuk i kurseu goditjet dhe shkelmat ndaj arbitrit kryesor. Shirokov kërkoi falje më pas. “Jam i qartë që mos akordimi i një penalltie dhe marrja e kartonit të kuq më pas, nuk janë arsye për t’u çmendur“.
Një Gjykatë në Rusi ka marrë sot vendimin në lidhje me gjestin e turpshëm të Shirokov. Ky i fundit është dënuar me 100 orë punë të detyruar në komunitet sipas raportimeve të Interfax. /abcnews.al