Sherr gjatë miratimit të buxhetit në Bashkinë e Skraparit

schedule21:45 - 24 Dhjetor, 2020

schedule 21:45 - 24 Dhjetor, 2020

Bashkia e Skraparit në mbledhjen e Këshillit Bashkiak ka miratuar për vitin 2021.

Mbledhja u shoqërua me debate të ashpra dhe konfrontime mes kryebashkiakut Adriatik Mema dhe këshilltarëve.

Kryetarja e Këshillit Bashkiak kërkoi largimin nga salla të mediave dhe përfaqësuesve të prefekturës.

Mbledhja e Këshillit Bashkiak Skrapar, ku pika e fundit e rendit të ditës ishte për miratimin e buxhetit të vitit 2021 ka filluar me debate të ashpra mes kryebashkiakut Adriatik Mema dhe këshilltarëve.

Debatet nisën që në fillim të takimit për shkak të përjashtimit të disa këshilltarëve nga mbledhja e këshillit.

Ka qenë kryebashkiaku Mema i cili i ka kërkuar kryetares së këshillit bashkiak Edlira Shkëmbi vendimin e marrë për prezencën e 8 këshilltarëve në sallë dhe 6 të tjerëve online, vendim që nuk është pasqyruar.

Edhe pse ka kërkuar me ngulm largimin nga salla të medieve dhe përfaqësuesve të prefekturës, mbledhja ka filluar 30 minuta me vonesë.

Kryetari i bashkisë Skrapar, Adriatik Mema ka kërkuar fillimisht futjen në rendin e ditës të një kompensimi për pagat e punonjësve të bashkisë, që nuk janë marrë që prej muajit tetor për shkak të mbylljes së bizneseve të gurit nga të cilët Bashkia siguronte 250 milion lekë.

Pas futjes së kësaj pike në rendin e ditës,u miratua hap pas hapi projekt-vendimi për dhënien e ndihmës ekonomike dhe bursat për nxënësit e familjeve në nevojë, duke u kaluar në miratimin e projekt-buxhetit të vitit 2021.

Prezantimi i buxhetit nga kryebashkiaku Mema është kundërshtuar nga disa këshilltarë,që e kanë cilësuar si një buxhet në favor të kryebashkiakut dhe jo të qytetarëve.

Kryebashkiakut Mema i është kërkuar me një vendim Këshilli rishikimi i numrit të punonjësve të bashkisë, nga 361 në 280.

Këshilltarët e kanë justifikuar marrjen e këtij vendimi për shkurtimin e 80 punonjësve si një vendim të përcaktuar në varësi të popullsisë, duke e cilësuar të fryrë administratën e bashkisë.

Pas shumë debatesh, këshilltarët janë tërhequr nga kjo kërkesë dhe kanë miratuar projekt-buxhetin e hartuar nga Bashkia Skrapar për vitin 2021.

Kryebashkiaku i Skraparit, Adriatik Mema ka falënderuar këshillin bashkiak që ka miratuar buxhetin e hartuar nga specialistët e bashkisë.

Mema ka deklaruar se në vitin 2021 do të investohet në ndërtime ujësjellësish, në rikonstruksionin e gjimnazit të qytetit,në rikonstruksionin e shkollave në fshatrat Gjerbës, Backë e Potom, në ndërtimin e argjinaturës mbrojtëse të lumit Guak, në rehabilitimin e disa rrugëve rurale në shumë njësi administrative etj.

/abcnews.al/