Një thirrje për ndërgjegjësim drejtuar klasës politike ka ardhur nga Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji. Në një intervistë me gazetaren Linda Karadaku, Ipeshkvi tha se politika duhet të bëhet bashkë dhe të punojë për të ardhmen e vendit.
“Një thirrje jo vetëm politikanëve por të gjithëve që kanë përgjegjësi publike. Duhet të ulin gjakrat, të kthjellojnë mendjen dhe të marrin me zemër çështjen e përbashkët dhe të gjejnë zgjidhje. Njerëzit nuk duan të dëgjojnë kush është fajtori, duan të dëgjojnë cila është zgjidhja. Dhe unë vetë dua të di cila është zgjidhja për nesër, për vitin e ardhshëm, për nevojat që ka vendi dhe populli ynë.
Nuk kemi nevojë të na tregojnë se kush është problemi sepse të gjithë jemi nga pak problemi i mungesës së asaj që nuk e kemi. Pjesë e problemit dhe kontribues pasiv ose aktiv. Dhe pjesë e zgjidhjes sepse nëse të gjithë e dëshirojmë një zgjidhje dhe politikanët tanë do të detyrohen ta gjejnë.”, u shpreh Imzot Dodë Gjergji. /abcnews.al