Basha: Po trajnojmë mjekë për Europën, shëndetësia falas përfundoi në PPP

schedule12:55 - 24 Dhjetor, 2020

schedule 12:55 - 24 Dhjetor, 2020

Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha gjatë takimit me studentë të fakultetit të Mjekësisë është ndalur sot edhe tek situata e pandemisë në vend. Basha i ka cilësuar si të papërfillshme rimbursimet për të sëmurët Covid, ndërsa shtoi se mjekët dhe infermierët janë të pambrojtur në këtë situatë.

“Kemi një vendim shumë të vonuar të qeveris që jep një shumë të papërfillshme me rimbursimet.  Problem janë edhe spitalet vetë. Si mund të flasësh për spitale rajonale kur ti nuk ke personelin. Nuk mundtë hapen spitalet rajonale vetëm duke hapur shtretër. Nuk janë marrë masa as për të mbrojtur mjekët dhe infermierët. Ky është një dështim i qeverisë. Kemi humbur shumë mjekë për shkak të mungesës së mjeteve mbrojtëse. Llafe shumë dhe punë pak. Propagandë me ton dhe veprime me pikatore. Kjo e ka sjellë situatën në parametra shumë më të rënda. Këtu luhet me shifrat për të fshehur dështimet”, tha Basha.

Gjatë bashkëbisedimit, teksa dëgjoi shqetësimet e studentëve kreu i demokratëve u ndal edhe tek çështja e praktikave. Basha theksoi se nuk mund të ketë mjekë që nuk kryejnë praktika.

Kryedemokrati shtoi më tej se në këto shtatë vite është folur për shëndetësi falas, e cila sipas tij përfundoi në shëndetësi PPP-sh. Basha premtoi anulimin e koncesioneve dhe financimin e gjithë sistemit shëndetësor.

“Nëse ka një fushë që nuk mund të ketë të diplomuar pa bërë praktikë të nevojshme është ajo e mjekësisë. E rëndësishme është që mjekët e ardhshëm të mos zbresin nga librat, por edhe nga një praktikë e shëndoshë. Kjo është një fushë që praktika është edhe më e rëndësishme se teoria. Ne po trajnojmë mjekë për Europën dhe kemi numrin më të ulët të mjekëve për frymë. Shtatë vite me radhë është folur për shëndetësinë falas. Gjëja e parë që do bëjmë ne është që do  të stabilizojmë të ardhurat për mjekët dhe infermierët. Ka ardhur koha ta largojmë shkaktarin e kësaj situate. Nuk mjafton vetëm programi ynë, na duhet edhe ndihma juaj”, tha Basha. g.v/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!