Putin fton Trump në Moskë: I ka dyert e hapura

schedule09:40 - 28 Korrik, 2018

schedule 09:40 - 28 Korrik, 2018

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka deklaruar se është i gatshëm për takime të mëtejshme me homologun Donald Trump. Në një konferencë shtypi, Putin ka nënvizuar se presidenti amerikan është i mirëpritur të udhëtojë drejt Moskës.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka deklaruar të premten se e ka ftuar homologun amerikan Donald Trump në Moskë për një tjetër takim mes tyre.

Takimi i radhës, pas atij të zhvilluar më herët gjatë muajit në Helsinki përflitej se do të mbahej në Uashington, por pas reagimeve të ashpra të institucioneve amerikane pala ruse u tërhoq. Megjithatë, nga Afrika e Jugut, Putin ka deklaruar se samiti i dytë me shefin e Shtëpisë së Bardhë është në axhendë.

“Unë e kuptova shumë mirë atë që presidenti Trump tha. Ai dëshiron që të mbajmë takime të tjera dhe unë jam gati”, ka thënë Putin.

Kreu i Kremlinit ka lënë gjithashtu të hapur mundësinë që samiti dypalësh të zhvillohet në Rusi.

“Jemi gati ta ftojmë presidentin Trump në Moskë. Le të vijë kur të dojë, i ka dyert e hapura dhe ia kam thënë këtë”, ka vijuar Putin.

Putin nuk ka saktësuar se si ka reaguar presidenti amerikan ndaj ftesës së tij. Për herë të fundit, Trump ka qenë në Moskë në vitin 2013, për një konkurs bukurie. Sa i takon propozimit për të vizituar Shtetet e Bashkuara, Putin ka thënë se është gati të shkojë në Uashington.

“E përsëris edhe njëherë, jam gati të shkoj nëse krijohen kushtet e duhura për të punuar”, ka vijuar Putin.

Presidenti rus ka shtuar se ndërkohë që po punohet për takimin e ardhshëm, ka të ngjarë që ai dhe Trump të takohen në kuadër të samitit të G20-s që mbahet në Argjentinë në Nëntor./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!