Pas tre ditë zi kombëtare, kryeministri grek Aleksis Tsipras ka marrë përsipër përgjegjësinë për zjarret që shkatërruan lindjen e Athinës. Ndërkohë, opozita ka akuzuar qeverinë për arrogancë dhe dështim në mbrojtjen e qytetarëve.
Kryeministri grek Alexis Tsipras ka deklaruar të premten se merr përsipër përgjegjësi të plotë për zjarret shkatërruese që vranë disa dhjetëra persona.
“Ju kam thirrur sot këtu për të marrë përsipër të gjithë përgjegjësinë politike për këtë tragjedi, përpara kabinetit tim dhe popullit grek”, u ka thënë Tsipras ministrave.
Ai ka bërë me dije se qeveria do të vazhdojë me planin kombëtar për të ndalur fenomenin e ndërtimeve abuzive, që sipas tij zgjat prej dekadash dhe ka shtuar se të dhënat hetimore sugjerojnë se zjarret ishin të qëllimshme.
Ndërkohë, me të mbaruar tre ditët e zisë kombëtare të shpallura nga Tsipras, opozita greke ka akuzuar qeverinë për arrogancë dhe për dështim në mbrojtjen e qytetarëve.
Partia kryesore e pakicës, Demokracia e Re ka kritikuar qëndrimin e ekzekutivit, për faktin se nuk u kërkoi falje qytetarëve.
“Kjo qeveri sapo i shtoi një tjetër faqe të zezë dështimit të saj mjeran në mbrojtjen e jetës dhe pronës së qytetarëve”, ka deklaruar zëdhënësja e Demokracisë së Re, Maria Spyraki.
Nga ana e saj, qeveria është mbrojtur duke thënë se nuk pati kohë për të evakuuar njerëzit, pasi flakët u përhapën me shpejtësi.
Por presioni ndaj ekzekutivit të majtë po rritet, në një kohë kur bilanci i viktimave pritet të rëndohet dhe pirgu i pyetjeve se si njerëzit mbetën të bllokuar vazhdon të rritet./abcnews.al