Zyrtare/ Munishi largohet nga Ballkani, drejtuesit kontaktojnë Shkëmbin

schedule16:59 - 23 Dhjetor, 2020

schedule 16:59 - 23 Dhjetor, 2020

Tre humbje në katër ndeshjet e fundit në IPKO Superligën e Kosovës i mjaftuan drejtuesve të Ballkanit për të shkarkuar Ismet Munishin. Ata që e dënuan më shumë Munishin ishte fakti se humbjet erdhën ndaj kundërshtarëve direkt për titullin kampion: Prishtinës, Dritës dhe Gjilanit.

 

Ndaj këtyre të fundit u mundën 0-4 dhe pas kësaj ndeshje gjithçka u thye mes trajnerit dhe klubit. Kështu, Munishi nuk do të jetë më pjesë e skuadrës nga Suhareka dhe drejtuesit kanë nisur bisedimet për të gjetur trajnerin e ri para se të nisë faza e dytë e sezonit.

Mësohet se Blendi Shkëmbi është një nga kandidatët për të marrë drejtimin e Ballkanit. Interesin për të e ka zbuluar vetë ish-trajneri i Teutës për Koha.net. Shkëmbi shprehet se “një zyrtar i Ballkanit e ka kontaktuar për ta pyetur nëse është i lirë për të marrë drejtimin e skuadrës, por nuk ka pasur asgjë konkrete”.

 

Korçari shprehet se është gati të marrë drejtimin e Ballkanit, por ai nuk është kandidati i vetëm në listën e drejtuesve të klubit nga Suhareka. Mësohet se Orges Shehi dhe Bekim Isufi janë gjithashtu kandidatë për të marrë drejtimin e Ballkanit. Mbetet të shihet vendimi i drejtuesve. /abcnews.al