Nga Erblina Mile
Covid nuk ka trembur emigrantët që kanë vendosur të kthehen në Shqipëri për festa. Në aeroportin e Rinasit ditët e fundit ka fluks të qytetarëve që kthehen në për festat e Krishtlindjes dhe të Vitit të Ri.
Në ambientet e jashtme të aeroportit “Nënë Tereza” ka një grumbullim të qytetarëve që presin kthimin e familjarëve të tyre. Në shumë raste nuk mungojnë edhe përqafimet pavarësisht rrezikut të infektimit me Covid-19.
Qytetarët që kanë vendosur të kthehen në Shqipëri shprehen se pavarësisht masave të mara apo kufizimeve kanë zgjedhur që të festojnë pranë familjes.
“Jetoj në Gjermani. Udhëtimi shkoi mirë, pa pengesa”, thotë një prej tyre.
Nuk mungojnë edhe ata qytetarë që kanë vendosur të festojnë tek të afërmit që jetojnë në vende të ndryshme të Bashkimit Europian.
Ndërkohë që prej 22 dhjetorit Shqipëria ka ndaluar të gjitha fluturimet për dhe nga Mbretëria e bashkuar. Aviacioni Civil i ka kërkuar të gjithë pasagjerëve që të kontaktojnë me kompanitë ajrore për të vendosur nëse do të kenë shtyrje të fluturimeve apo kompensim.
Që prej datës 22 dhjetor deri në 6 janar të vitit 2021 nuk do të lejohet asnjë fluturim në Britaninë e Madhe, për shkak të mutacionit të Covid-19 që është zbuluar në këtë vend. të gjithë ata qytetarë që kanë prerë biletat për këtë periudhë do të duhet të lidhen me kompanitë për të marrë informacione të mëtejshme.
Edhe pse në numër më të vogël se një vit më parë fluks të emigrantëve që vijnë në Shqipëri ka pasur edhe në pikat kufitare apo në porte. /abcnews.al