Për ish-ministrin e Jashtëm Ditmir Bushati, Evropa duhet parë si një mundësi për qytetarët shqiptarë, për shoqërinë, ekonominë si edhe vlerat demokratike.
Këtë të martë, në “Refleksion”, Bushati tha se në procesin e integrimit duhet të tregohen më rigoroz, për vetë faktin se sipas tij edhe qytetari shqiptar duhet të posedojë të njëjtat të drejta.
“Sa i përket Evropës duhet të shohim se çfarë konteksti duhet t’i japim. Kemi Evropë që merr një drejtim tjetër në syrin tonë gjatë periudhës së komunizmit që konsiderohej si mollë e ndaluar dhe pas ’90 shihet si mundësi e mirë për shqiptarët.
Përgjithësisht ata që fitojnë revolucionin automatikisht marrin edhe pushtetin. Sot Evropën duhet ta shohim si një udhëtim, si mundësi transformimi, për ekonominë për shoqërinë, për vlerat apo mënyrën se si duhet t’i rrënjosim këto vlera.
Dhe në fund duhet të bëjmë një dallim pasi duhet të jemi mjaft agresiv me procesin e integrimit Evropian që edhe qytetari shqiptar të ketë të njëjtat të drejta”, tha Bushati.
Më tej ai tha se Shqipëria duke qenë vendi amë duhet të ushtrojë përgjegjësi më të madhe për raportet me politikat e brendshme
“Pas krijimit të shtetit shqiptar Kosova ka qenë krye çështjes për shtetin shqiptar pavarësisht formave të regjimit. Besoj se kemi nevojë për një dozë realizimi për të mos ngatërruar fenomenet me çështjet kombëtare. Sot është fakt që kemi një shtet të dytë me shumicë absolute që është Kosova. Po ashtu sot në Maqedoninë e Veriut kemi përfaqësim disa herë më të mirë të shqiptarëve.
Po ashtu edhe një avancim të gjuhës shqipe. A ka nevojë për të bërë më mirë, për të korrektuar disa politika të brendshme, natyrisht që ka. Sot për sot ka një vetëdije që faktori shqiptar në këtë kënd të Evropës juglindore është përcaktues sa i përket stabilitetit demokratik.
A ka nevojë për një bashkërendim më të mirë? Përgjigja ime është po. A ka nevojë për një proces që do të na bënte ta njihnim më mirë njëri tjetrin, natyrisht që po. Shqipëria duke qenë vendi amë duhet të ushtrojë përgjegjësi më të madhe”, tha më tej Bushati.
/abcnews.al/