Shqiptarët janë të pambrojtur nga variantet e reja të Covid-19. Kjo është ajo që thotë ish-deputeti i Partisë Demokratike Bardh Spahia në një postim në Facebook.
Sipas PD, rritja e orarit kufizues është vetëm një nga elementët e kontrollit ndaj virusit, por kjo sakrificë e qytetarëve sipas Selisë Blu, mund të shkojë dëm nëse mungojnë masat parandaluese për kontrollin e prekjes së vendit nga varianti i ri i koronavirusit.
Ky version i ri i Covid-19, është identifikuar në Britaninë e Madhe dhe rezulton të përhapet më shpejt. Pas këtij zbulimi, një numër i madh shtetesh ndaluan fluturimet që vijnë nga vendi ishullor.
Megjithatë, vendi ynë, siç shkruan Spahia, akoma sot autoritetet shqiptare “nuk kanë ndërmarrë asnjë hap edhe pse nga vendet e prekura ku ende udhëtohet po mbërrijnë emigrantët shqiptarë që do kalojnë festat pranë familjeve.”
Spahia thekson se duhen marrë masa të menjëhershme dhe gjithëpërfshirëse, pikësëpari duke hartuar një strategji dhe plan veprimi serioz për të evituar infektimin me format e reja të Covid-19.
POSTIMI
“SHQIPTARET TE PAMBROJTUR NGA VARIANTET E REJA TE COVID-19!
Rritja e orarit kufizues është vetëm një nga elementët e kontrollit ndaj Covid-19, pjesë e detyrimit dhe sakrificës qytetare për të shmangur infektimin.
Por cka bie në sy si zakonisht është mungesa e masave parandaluese, mbrojtëse për kontrollin e prekjes së vendit tonë nga varianti i ri i koronavirusit.
Të gjitha vendet europiane dhe jo vetëm, përfshi edhe fqinjët tanë kane marre masa te forta, si dhe kanë shtuar kontrollet në pikat kufitare. Në këtë situatë Shqipëria gjendet krejtësisht e papërgatitur dhe pa asnjë plan.
Akoma sot autoritetet shqiptare nuk kanë ndërmarrë asnjë hap edhe pse nga vendet e prekura ku ende udhëtohet po mbërrijnë emigrantët shqiptarë që do kalojnë festat pranë familjeve.
Kufizimi i orarit të lëvizjes është një sakrificë e madhe për qytetarët e bizneset shqiptare e cila do shkojë kot nëse nuk integrohet me masat e shumta që duhet të ndërmarrin institucionet përgjegjëse qeveritare! Duhen marrë masa të menjëhershme dhe gjithëpërfshirëse, pikësëpari duke hartuar një strategji dhe plan veprimi serioz për të evituar infektimin me format e reja të Covid-19. Dështimi i qeverisë dhe autoriteteve shtetërore në këtë drejtim kushton jetë!” s.b/abcnews.al/
Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!