CNN ka publikuar bisedën që Donald Trump dhe avokati i tij bënë dy muaj para zgjedhjeve presidenciale, për të blerë heshtjen e një modeleje që pretendonte se kishte patur një aferë me Trump. Në bisedë Trump dëgjohet të përmendë shifrën e 150 mijë dollarëve.
Regjistrimi i bisedës në të cilën Donald Trump dhe avokati i tij bisedonin për të paguar një modele që kishte pasur një aferë me presidentin është publikuar nga CNN. Trump dhe avokati i tij personal Michael Cohen diskutojnë për blerjen e heshtjes së ish-modeles së “Playboy”, Karen Mekdugall.
Regjistrimi është bërë në Shtator të 2016-s, dy muaj përpara zgjedhjeve presidenciale, ndërsa afera e përfolur daton në vitin 2006. Biseda sorrollatet dhe herë pas here veç dy protagonistëve kryesorë dëgjohen edhe zëra të tjerë. Trump dhe ish-avokati i tij diskutojnë mundësitë që të drejtat e historisë së modeles t’i blejë revista
Michael Cohen: “Më duhet të hap një kompani për mikun tonë”.
“National Inquirer”. “Më duhet të hap një kompani për të bërë transfertën në lidhje me mikun tonë David”, thotë Cohen. Ky emër, sipas CNN, mund të jetë ai i David Pecker, miku i Donald Trump dhe president i “American Media Incorporation”, që është kompania mëmë e “National Enquirer”. “Atëherë sa duhet të paguajmë për këtë? 150?”, thotë më pas Trump.
Donald Trump: “Sa duhet të paguajmë”?
150 në të vërtetë i bie të jetë 150 mijë dollarë, shuma që Mekdugall mori nga revista të cilës i shiti historinë e saj. Duke reaguar ndaj publikimit të regjistrimit, Trump ka kritikuar ashpër ish-përfaqësuesin e tij ligjor.
“Ç’lloj avokati është ai që përgjon klientin e tij? Kjo është hera e parë që ndodh, apo jo? Unë nuk kam dëgjuar të jetë bërë ndonjëherë”, është shprehur Trump.
Por avokati i zotit Cohen, Lanny Davis ka reaguar po në Twitter, duke i kujtuar presidentit të Shteteve të Bashkuara një precedent të rëndësishëm.
“Sikurse e mësoi dhe Richard Nixon, regjistrimet nuk gënjejnë”, ka thënë Davis, duke iu referuar skandalit “Watergate”.
Pajisja që përmban përgjimin u konfiskua nga agjentët e FBI-së kur bastisën zyrën e avokatit Cohen më herët gjatë vitit në Nju Jork./abcnews.al