Më 14 dhjetor, ministri i shëndetësisë i Britanisë, Matt Hancock, tha përpara parlamentit se një variant i ri i koronavirusit që përhapet shumë shpejt ishte identifikuar në Anglinë jug-lindore. Kjo çoi në rritjen e shqetësimit të publikut, nxitur edhe nga titujt e gazetave që shkruanin “super kovid”.
Ja çfarë duhet të dini në lidhje me këtë variant të ri të koronavirusit
Çfarë dimë për këtë variant të ri deri më tani?
Kjo sekuencë e virusit u zbulua për herë të parë në Mbretërinë e Bashkuar në fund të shtatorit. Deri më tani ka pësuar 17 mutacione që mund të ndikojnë në formën e virusit, duke përfshirë proteinën kyçe, sipas Nick Loman në Universitetin e Birmingham në Mbretërinë e Bashkuar, i cili është pjesë e një ekipi që ka monitoruar dhe studiuar variantet e reja.
Pra, ka një sërë mutacionesh, jo vetëm një?
Koronavirusi pëson mutacion vazhdimisht dhe ka shumë variante të ndryshme.
Në fakt, deri në korrik, kishte të paktën 12,000 mutacione. Numri sigurisht është më i lartë tani, megjithëse shumica e varianteve të reja ‘shuhen’. Ndonjëherë ato përhapen pa ndryshuar ‘sjelljen’ e virusit. Herë të tjera, ato pësojnë ndryshime dramatike.
Deri me tani ka më shumë se 12,000 variante të koronavirusit
Çdo koronavirus i SARS-CoV-2 kudo në botë do të ndryshojë me më pak se 30 mutacione dhe të gjitha mutacionet i përkasin të njëjtit lloj. Por sipas studiuesve prejardhja e tyre është e ndryshme.
Pra, çfarë ka të pazakontë në lidhje me këto mutacione të virusit?
Shpejtësia që po përhapet virusi tërhoqi vëmendjen e studiuesve që monitorojnë evolucionin viral. Deri më 13 dhjetor, u identifikuan 1100 raste të variantit të koronavirusit, kryesisht në jug dhe lindje të Anglisë.
Është shkalla e rritjes, ajo për të cilën po shqetësohemi”, thotë Loman. “Ne po shohim një rritje shumë të shpejtë”.
A është pikërisht ky variant i ri i koronavirusit shkaku që virusi po përhapet kaq shpejt?
Kjo është diçka që nuk dihet akoma. Varianti po përhapet më shpejt sesa llojet e tjerë në të njëjtat rajone, por nuk është ende e qartë pse. Tani për tani, nuk ka asnjë provë të qartë se kjo është për shkak të këtyre mutacioneve të veçanta.
Sa të shqetësuar duhet të jemi?
Nevojitet një kombinim i monitorimit dhe studimit për të zbuluar efektin e mutacioneve të veçanta të pranishme në këtë variant dhe për të kuptuar sa infektiv është.
Po nëse ky variant i ri i koronavirusit përhapet më shpejt se çdo variant i mëparshëm?
Mënyra se si ne sillemi ka një rëndësi të madhe në përhapjen e koronaviusit, sipas van Dorp. Me fjalë të tjera, masa të tilla si mbajtja e maskave dhe distancimi shoqëror mbeten arma kundër këtij varianti të ri edhe nëse ka pak më shumë gjasa të infektojë njerëzit e ekspozuar ndaj tij.
A ka simptoma më të rënda?
Kjo është diçka që ende nuk e dimë. Për ta zbuluar diçka të tillë, do të na duhet të marrim në studim shumë njerëz që janë infektuar me këtë variant specifik dhe t’i monitorojmë të paktën për një muaj. Por duhet të kemi edhe diçka parasysh që mutacionet jo domosdoshmërish janë më të rrezikshme.
A do të funksionojnë vaksinat në variantin e ri të koronavirusit?
Nuk ka asnjë provë për këtë, edhe pse ende nuk përjashtohet si mundësi. Sidoqoftë, lajmi i mirë është në bazë të çdo gjeje që ne dimë dhe sipas diskutimeve të ekspertëve europianë, varianti i ri nuk ndikon te vaksinat dhe ato janë efektive.
Pra, ende nuk kemi informacione të sakta rreth varianti të ri të koronavirusit?
Studiuesit e gjenomikës janë duke studiuar variantin e ri të koronavirusit. Ajo që shumë prej nesh janë duke pyetur është nëse ishte e përshtatshme që një ministër i shëndetësisë të shpallte publikisht këto zbulime paraprake duke shqetësuar mbarë opinionin publik./abcnews.al

