Kufizimet e shumta që kanë ndërmarrë vendet për shkak të pandemisë kanë prekur dhe udhëtimet dhe për pasojë njerëzit kanë mundësi të pakta për të udhëtuar gjatë festave të fundvitit. Sot në “Abc-ja e mëngjesit”, operatori turistik Agim Mehmeti u shpreh se krahasuar me vitin që shkoi, kërkesa konsumatore ka pësuar një rënie prej 65-75 përqind që prej periudhës së nisjes së pandemisë.
Më tej, Mehmeti argumentoi se kërkesa e tregut gjatë këtyre ditëve është e mirë krahasuar me destinacionet e pakta që janë të disponueshme. “Me pak destinacione që kemi tani, kërkesa e tregut është shumë simpatike. Shembulli më klasik është destinacioni i fundvitit quhet Sharm El Sheikh.
Me shumë guxim dhe risk kemi vendosur një charter që në një situatë normale kalkulimi me këto lloj shifrash është gati çmenduri të marrësh një fluturim që duhet parapaguar dhe hotelet duhet fiksuar që të japësh mundësi të dalësh në treg. Sjellja konsumatore është shumë interesante, charteri është pothuajse i mbyllur por po analizojmë çfarë po shitet brenda. Kemi dhe hotele me pesë yje të nivelit ekonomik, me pesë yje medium dhe elitar.
Aq shumë etje kanë njerëzit që të bëjnë udhëtime cilësore për ato 6 ditë pushim që kanë, saqë 75 përqind e shitjeve janë në ato elitare. Buxheti është më i lartë dhe njerëzit janë duke shpenzuar gati 30-40 përqind më shumë se sa një përzgjedhje e një niveli më poshtë por ngaqë kanë shumë kohë pa pushuar dhe lëvizur, kanë dhe më shumë që atë përzgjedhje që bëjnë ta kenë elitare.”, u shpreh ai. /abcnews.al