Presidenti amerikan, Donald Trump, ka kërkuar që SHBA dhe Bashkimi Europian të heqin të gjitha pengesat dhe tarifat tregtare. Sipas tij, kjo është e vetmja mënyrë që mes dy vendeve të ketë tregti të lirë dhe të barabartë.
Shtetet e Bashkuara dhe Unioni Europian “duhet të eliminojnë të gjitha tarifat, pengesat dhe subvensionet! Kështu që më në fund do të quhej tregti e lirë dhe e barabartë”.
Ky është apeli i lëshuar në Twitter nga Donald Trump, përpara takimit në Shtëpinë e Bardhë me presidentin e Komisionit të Bashkimit Europian, Jean-Claude Juncker. Ky i fundit fluturon për në Uashington për të ulur tensionet tregtare mes dy vendeve. Megjithatë, Juncker nuk ka një mandat për të diskutuar çështjen dhe nuk do të paraqesë ndonjë propozim, është saktësuar nga Brukseli, pas vendosjes së tarifave për importimin në SHBA të çelikut dhe aluminit të njoftuara nga Trump si dhe tarifave ndëshkuese të vendosura kundër Unionit.
“Bashkimi Europian vjen në Uashington për të negociuar një akord për tregtinë. Kam një propozim për ata”, shkruan kreu i Shtëpisë së Bardhë.
“Shpresoj ta bëjnë. Ne jemi gati. Por ata nuk do ta bëjnë”, nënvizon presidenti amerikan, i cili më herët ka kërcënuar me tarfia deri në 20% për importimin e makinave nga BE. Vlera e importit amerikan i automjeteve nga kontinenti i vjetër shkon deri në 50 miliardë dollarë. Një lëvizje kjo frikëson veçanërisht Gjermaninë.
Për numrin një të Shtëpisë së Bardhë, multilateralizmi i BE-së mëshiron të kundërtën e ideologjisë së tij: “Amerika E Para”. Jo më kot e ka përkufizuar një armik në të gjithë drejtimet, nga NATO tek siguria, energjia dhe klima. Ndërkohë, në tavolinë me Juncker gjendet edhe gjoba rekord prej 4.3 miliardë eurosh për abuzim me pozicionin dominues./abcnews.al

