Përhapet me shpejtësi, si erdhi mutacioni i ri i Covid-19 në Britani që shkaktoi alarm

schedule21:15 - 20 Dhjetor, 2020

schedule 21:15 - 20 Dhjetor, 2020

Lajmi se një mutacion i ri i koronavirusit SARS-CoV-2 është identifikuar në Britani ka shkaktuar shqetësim tek publiku dhe ekspertët , në një kohë kur të gjithë shpresonin që ardhja e vaksinës të ndryshonte rrjedhën e pandemisë. Mutacioni N501Y (VUI-202012/01) u zbulua për herë të parë në Angli dhe duket se po përhapet më shpejt se mutacionet e tjera.

Duhet të theksohet se në Evropën Perëndimore dhe Amerikën e Veriut, mutacioni D614G u zbulua në fillim të këtij viti, i cili gjithashtu besohet se e bën koronavirusin më ngjitës por nuk shkakton komplikacione serioze.

“Tri nivele të ndryshme të analizës, për sa i përket përbërjes gjenetike të koronavirusit, statistikave dhe testeve laboratorike, na tregojnë se ky mutacion është dukshëm më i lehtë për t’u transmetuar midis njerëzve sesa mutacionet e tjera”, tha Sir Patrick Valans, kreu i Komiteti Këshillimor i Ekspertëve të Qeverisë britanike.

Sipas tij, mutacioni u zbulua për herë të parë në shtator. Nga mesi i nëntorit, 28% e rasteve në Londër ishin për shkak të N501Y. Gjatë javës së 7-13 dhjetorit, ai ishte përgjegjës për 62% të rasteve në kryeqytetin britanik.

“Tani është mutacioni mbizotërues në Britani,  pasi arrin të mundë të gjithë të tjerët për sa i përket transmetueshmërisë,” tha Dr. Valance gjatë një konference për shtyp, përcjell abcnews.al.

Çfarë bën mutacioni i ri?

Sipas virologëve britanikë që analizojnë mutacionin në detaje, N501Y e bën koronavirusin 70% më të shpejtë për tu përhapur në trupin e njeriut, krahasuar me mutacionet e tjera që u zbuluan në fillim të këtij viti gjatë valës së parë të pandemisë.

Vlen të përmendet se mutacioni është një proces i natyrshëm për koronavirusët. Disa pësojnë mutacion më pak dhe disa më shumë, siç është virusi i gripit sezonal. Megjithatë, ndonjëherë, këto ndryshime në përbërjen e një virusi ndryshojnë karakteristikat e tij dhe herë të tjera jo.

Nga ajo që dihet aktualisht për mutacionin e ri, studiuesit kanë qenë në gjendje të zbulojnë 23 ndryshime gjenetike, një numër jashtëzakonisht i madh. Disa nga këto kanë të bëjnë me modifikimet në proteinat e prodhuara nga koronavirusi. Deri më tani, ka pasur afërsisht 4,000 mutacione në gjenin që kodifikon proteinën S.

Nga erdhi N501Y?

Të dhënat paraprake mbi përshkrimin e mutacionit dhe të cilat janë botuar tashmë në virological.org tregojnë se ky lloj i ri mund të jetë zhvilluar në trupin e një pacienti që kishte infeksion kronik, ndoshta për shkak të një sistemi të dobësuar imunitar.

A e ka kaluar kufirin britanik?

Sipas shkencëtarëve britanikë, aktualisht nuk kanë prova që mutacioni ka kapërcyer kufirin britanik. Sidoqoftë, një mutacion i ngjashëm është identifikuar në Afrikën e Jugut, i cili mendohet të ketë ndodhur spontanisht dhe në mënyrë të pavarur nga N501Y.

Bëhet fjalë për 501.V2 që sipas Ministrit të Shëndetësisë të Afrikës së Jugut Zveli Mize , është bërë dominant javët e fundit dhe duket se shkakton valën e dytë të epidemisë në vend. g.v/abcnews.al