Stefano Sorrentino është portieri i parë në Itali që ndali Cristiano Ronaldon nga pika e bardhë e penalltisë, ndërkohë që së fundmi ka treguar se çfarë kishte ndodhur para asaj ndeshjes mes Juventusit dhe Chievos në janar të vitit 2019. Sigurisht ai e kishte studiuar portugezin, i cili në fund nuk ia dha fanellën Sorrentinos dhe portieri tregon versionin e tij të asaj që kishte ndodhur.
“I kam studiuar gjatë gjithë kohës penalltitë e Ronaldos, ishte një punë shumë e madhe. Kam studiuar gjatë javës dhe kemi parë një video para ndeshjes, me stafin dhe portierët e tjerë. Shikuam shumë gjëra dhe në fund vendosëm një strategji. Mëngjesin e ndeshjes i kisha thënë mikut tim më të mirë se Ronaldo do godiste në të majtë, nëse do kishte penallti për Juventusin. Ai ishte në stadium atë ditë dhe e regjistroi videon kur e prita penalltinë, duke u hedhur në të majtë”.
“Pse nuk ta dha fanellën? Ka një histori prapa kësaj. Unë u shtrova në spital pas një përplasjeje në fushë me Ronaldon në ndeshjen e parë. Më dërgoi mesazhe dhe më pyeti nëse isha mirë. Ramë dakord të ndërronim fanellat në ndeshjen e radhës. Kur loja mbaroi, ai më tha se e kishte ndërruar me një shok të skuadrës time. Pastaj e ndërrova fanellën me mikun tim, Paolo Dybala”, tregon Sorrentino.
“Stadiumet bosh? Tani dëgjohet gjithçka, por edhe më parë ka ndodhur. Ronaldos kur i prita penalltinë nuk i thashë asgjë. Ai ka një fiksim, nuk të sheh kurrë në sy. Mua më pëlqente t’i shikoja në sy ata që gjuanin, për t’u përpjekur të kuptoja se ku do të çonin topin. Penalltitë kanë të bëjnë edhe me anën psikologjike. Nëse irritohen mund të ndryshojë diçka në favorin tënd”, u shpreh portieri. /abcnews.al