Bledi Çuçi flet si ministër i Brendshëm: Rama më besoi mua mes shumë socialistëve të tjerë

schedule21:35 - 18 Dhjetor, 2020

schedule 21:35 - 18 Dhjetor, 2020

Bledi Çuçi i cili nga sot është në krye të Ministrisë së Brendshme ka paraqitur objektivat e detyrës së re me anë të një statusi në rrjetet sociale. Çuçi thotë se është i ndërgjegjshëm për peshën e postit që mban, ndërsa thekson se mbështet të gjithë punonjësit e Policisë së Shtetit.

“Posti i Ministrit të Brendshëm është një funksion shumë i lartë publik dhe tejet i rëndësishëm në një kabinet qeveritar. Jo për konformitet tradite dhe jashtë çdo formalizmi, si fillim falënderoj Kryeministrin, që ma besoi mua këtë detyrë, mes shumë drejtuesve të tjerë nga radhët e Partisë Socialiste. Jam plotësisht i ndërgjegjshëm për peshën e madhe që ka Ministria e Brendshme në garantimin e rendit, sigurisë publike, jetës e pronës së qytetarëve, si dhe në përballjen e përditshme me paligjshmërinë. Por ky institucion është më i gjerë se sa Policia e Shtetit, që natyrisht ka rol të pazëvendësueshëm brenda këtij dikasteri.

Të mos harrojmë gjithashtu se prej Ministrisë së Brendshme varen shumë shërbime të tjera të domosdoshme për qytetarët. Në përfundim të mandatit tim do doja që publiku të thoshte, që i mbaroi mandati Ministrit të Brendshëm, jo Ministrit të Policisë apo Rendit. Dua të falënderoj pararadhësin në krye të kësaj Ministrie, për punën e bërë në adresimin e sfidave që lidhen me sigurinë, rendin publik, pushtetin vendor, emigracionin dhe shumë e shumë çështje të tjera që mbulon Ministria e Brendshme.

Inkurajoj në mënyrë të veçantë dhe mbështes pa asnjë mëdyshje të gjithë punonjësit e Policisë së Shtetit, kësaj organizate solide, që prej krijimit të shtetit shqiptar ka mbajtur një barrë shumë të madhe. Policia e Shtetit ka mbështetjen time absolute dhe besimin e palëkundur të çdo shqiptari. Ju ftoj të përmbushni detyrat tuaja me profesionalizëm, konform ligjit dhe me përgjegjësi të lartë qytetare. Faleminderit!”, shkruan Çuçi.

Emri i Çuçit në këtë post ishte një surprizë mes shumë propozimeve të lakuara pas dorëheqjes së ministrit të Brendshë Sandër Lleshaj. E pikërisht ky i fundit zbuloi sot se kjo ishte një “surprizë” edhe për vetë Çuçin./mv.abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!