Kultura e protestës – Monolog nga Erion Kristo

schedule21:18 - 18 Dhjetor, 2020

schedule 21:18 - 18 Dhjetor, 2020

Protestat janë revoltë, mllef i akumuluar, nevojë për drejtësi. Por a kemi ne kulturën e protestës? A dimë të protestojmë? Epo nuk ka protesta të përkryera. Nëse doni protesta të përkryera, mund ta organizoni një të tillë në divanin e shtëpisë. Le të marrim protestat e fundit. Ca u gëzuan nga dhuna e ca u ankuan.

Sa shumë budistë paskemi pasur këtu dhe nuk e kishim ditur.

Mos e prishni pronën e përbashkët (vazhdon komunizmi në mendje). Janë bërë me paratë tona (se vilat e politikanëve të partisë tuaj, me paratë e kujt janë bërë?).

Të mos përdoren fëmijët në protestë (po kur merren fëmijët nga mësimi me autobus dhe çohen në mitingjet e partisë përkatëse?).

Mos na digjni pemën (pyjet mund t’i digjni, se askush nuk do t’ia dijë).

Halabakët (dikur quheshin thjesht kokë-palarë).

Mos i godisni policët se janë bij nënash (pse këta që rrihen nëpër komisariate janë bij bushtrash?).

Protestat të jenë paqësore (dhe kur bëhen të tilla quhen xhiro për të tretur ushqimin).

Nuk ka protesta të përsosura. Politika ka futur hundët te protesta dhe e shfrytëzon për agjendat e saj. Kjo ka ndodhur gjithmonë dhe gjithmonë do ndodhë, në rast se ne nuk e mbledhim mendjen të vlerësojmë më shumë atdheun se partinë, më shumë fëmijët tanë, se kokat e politikës. Edhe protestat më të bukura, ato që çmojmë më shumë, si protesta e armëve kimike, apo e studentëve, kanë një mbështetje politike nga pas. Telekomandën. Edhe kur nuk e shihni.

Protestat më të bukura për mua, janë kauzat civile, protestat që kërkojnë ndërgjegjësim dhe që shtojnë presionin ndaj shtetit. Por dhe protestat politike nuk kanë ndonjë gabim në vetvete. Sistemi ynë është politik, prandaj politika sundon.

Ka shumë justifikime për mospjesëmarrje në protestë: Unë nuk protestoj se këta të vrasin, se të heqin nga puna, se këtu nuk ka shoqëri civile, se po pres të iki, se te ne të gjitha i kontrollon politika.

Unë nuk protestoj se këtu nuk ka sindikata. Po për ca të protestosh më përpara? Sa lekë do më japësh që të protestoj? Pse e latë në këtë orë protestën? Do kisha ardhur në protestë, po jam jashtë Tirane.

Mua nuk më tremb e keqja, por pajtimi me të keqen. Ne jemi pajtuar me të keqen. Ndërsa do të duhej të protestonin, të bojkotonin, të neveritnin. Po kjo nuk ndodh. Këtë ndjenjë mpirjeje na e kanë përshkruar me imtësi edhe baballarët e kombit. Fotografinë e kemi pas bërë prej një shekulli, po vaksinën do të duhet ende ta presim, sepse edhe baballarët nuk e kishin menduar.

Ka mijëra zgjidhje. E para, protesta mësohet duke protestuar. Ngrihu nga kafeja. Modestisht do të ofroj një zgjidhje timen për të rritur ndjenjën e protestës në Shqipëri: Artin. Arti mund ta vendosë në qendër njeriun që nuk pajtohet, që kundërshton, që proteston, që përplaset, që fiton. Ku është Monumenti i protestuesit, Ekspo-protesta, Filmi protestant, rebel-rock? Arti mund të nxisë shpirtin e protestës, shpirtin e revoltës, shpirtin e mospajtimit me të keqen. Kjo është nevoja themelore sot: jo mosbërja e se keqes, por mospajtimi me të./Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!