Kancelarja gjermane “krenare” për themeluesit e BioNTech

schedule09:10 - 18 Dhjetor, 2020

schedule 09:10 - 18 Dhjetor, 2020

Kancelarja gjermane ka shprehur vlerësimin e saj për BioNTech, firmën e vogël gjermane prapa vaksinës së parë të koronavirusit. Merkeli tha se vaksina do të shpëtojë “shumë jetë”.

Kancelarja gjermane Angela Merkel vlerësoi arritjet dhe këmbënguljen e studiuesve të BioNTech, të cilët zhvilluan vaksinën e parë të koronavirusit, që u miratua në vendet perëndimore. Vlerësimet ajo i bëri në një takim digjital të enjten me themeluesit e BioNTech-ut, Ugur Sahin und Özlem Türeci. “Ne jemi tepër krenarë që kemi studiues të tillë në vendin tonë,” tha Merkel në fillim të bisedës.
Sahin dhe Türeci u përballën me shumë pengesa në rrugën e tyre për të përshtatur teknologjinë e mARN për vaksinën, por nuk u dorëzuan. “Ju nuk u dorëzuat. Ju besuat në kërkimin tuaj,” tha Merkeli.

Kancelarja vuri në dukje se vaksina, e cila u zhvillua në partneritet me gjigandin e farmacisë amerikane Pfizer, përfaqëson një hap të madh në thyerjen e baticave të pandemisë së koronavirusit. “Kur shohim se sa njerëz vdesin aktualisht nga koronavirusi, atëherë ne e dimë se sa jetë mund të shpëtojë kjo,” tha Merkeli.

Bërja e mundshme e asaj që dukej e pamundur

Themeluesit e BioNTech-ut, Ugur Sahin dhe Özlem Türeci janë ekipi i dy bashkëshortëve, që e ngritën firmën e vogël të bioteknologjisë në qytetin gjerman të Mainz-it, në 2008. Türeci, përgjegjësja kryesore mjekësore e firmës dhe një studiuese e njohur e kancerit, tha se ishte e rëndësishme që kompania të punonte sa më shpejt pa sakrifikuar standardet shkencore dhe etike. “Misioni ishte të bënim të mundur atë që dukej e pamundur,” tha ajo. Hapi i parë drejt vënies nën kontroll të pandemisë është arritur, “por maratona nuk ka mbaruar,” shtoi Türeci.

Sahin, shefi ekzekutiv i kompanisë, falënderoi qeverinë gjermane për mbështetjen e saj, por gjithashtu falënderoi edhe stafin e BioNTech për punën e palodhur për muaj me radhë për vaksinën. “Ne ishim në gjendje ta bënim këtë, sepse kemi një ekip fantastik. Një ekip shkencëtarësh dhe staf ndërkombëtar nga 60 vende të ndryshme, të cilët kanë punuar me ne për vite për këtë temë [kërkimi i mARN],” tha ai. Sahini theksoi se një tjetër komponent thelbësor në zhvillimin e shpejtë të vaksinës kishte qenë aftësia për t’u lidhur me kompani dhe studiues në të gjithë botën. “Ne e dimë që nuk mund ta mposhtim vetëm këtë pandemi,” tha ai. “Bashkëpunimi ndërkombëtar është thelbësor.”

Firma e panjohur më parë bioteknologjisë Biontech, me qendër në qytetin e Mainz-it u vu në qendër të vëmendjes globale në nëntor, kur vaksina BioNTech-Pfizer u njoftua të ishte gati 95% efektive në parandalimin e COVID-19.

Miratimi i vaksinave të BE pritet në fund të dhjetorit

Megjithëse është aprovuar tashmë në Shtetet e Bashkuara dhe Britaninë e Madhe, vaksina BioNTech-Pfizer ende nuk është aprovuar në tregun evropian. Ministri gjerman i Shëndetësisë Jens Spahn, i cili ishte gjithashtu pjesë e videobisedës me themeluesit e BioNTech-ut, tha se ai pret që shtetet e BE të fillojnë vaksinimin në të njëjtën ditë kur të aprovohet vaksina. “Në Gjermani do të fillojmë, po të vijë miratimi siç është planifikuar, në 27 dhjetor. Vendet e tjera në BE duan të jenë në gjendje të fillojnë dhe duan të fillojnë nga 27 dhjetori,” tha ai./DW