Presidenti i Francës urdhëroi riorganizimin e stafit të tij, pasi truproja u përfshi në një skandal. Benalla, i cili u shkarkua të premten, dhunoi disa manifestues në protestat e një Majit.
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, urdhëroi ndryshime në staf, pas shfaqjes së një videoje që tregonte ndihmësin e tij, tani i shkarkuar, duke dhunuar një protestues. I përballur me presion në rritje, Macron mblodhi të dielën disa ministra për të diskutuar çështjen. Alexandre Benalla, i cili ka qenë truproja kryesore e Macronit, është parë duke tërhequr zvarrë një grua dhe më pas duke dhunuar një burrë, gjatë protestave për Ditën e Majit në Paris.
Ai është akuzuar për dhunë në grup dhe për veshjen e një simboli të policisë në mënyrë të paligjshme. Benalla është shkarkuar të premten. Një zyrtar tha se Macron e ka përshkruar incidentin si “të papranueshëm” dhe se ka premtuar se nuk do të kalojë pa u ndëshkuar. Zyrtari i lartë presidencial, Alexis Kohler, do të mbikëqyrë riorganizimin e zyrës së Macronit për të parandaluar përsëritjen e incidentit, thanë zyrtarët në kushte anonimiteti.
Ndërkohë, Presidenca franceze është akuzuar se ka qenë e vetëdijshme për incidentin për disa kohë dhe se është përpjekur ta mbulojë atë, duke mos vepruar me shpejtësi kundër Benallas./abcnews.al