Paloka për “ABC”: PD ka gati emrat e drejtuesve politikë dhe formulën e koalicioneve

schedule15:48 - 16 Dhjetor, 2020

schedule 15:48 - 16 Dhjetor, 2020

Nga Juxhin Mustafaraj

Partia Demokratike do të përmbyll brenda dhjetorit çështjet organizative të përcaktimit të emrave të drejtuesve politikë të qarqeve dhe përcaktimin e formulës së daljes në koalicione me aleatët e opozitës. Nënkryetari i PD, Edi Paloka flet për një vendimarrje të shpejtë në kuadër të zgjedhjeve të 25 prillit.

“Brenda pak ditëve do të ndajmë edhe drejtuesit e qarqeve, pastaj pas procesit që keni ndjekur për përzgjedhjen e deputetëve do të kemi edhe formulën e koalicionit dhe listat për deputetë”, thotë Paloka.

Përballë ndryshimeve kushtetuese dhe heqjes së koalicioneve, PD do të gjej dakordësi edhe për listat e kandidatëve me aleatët.

“Çdo gjë bëhet në bashkëpunim dhe në dakordësi me aleatët. Ne thjeshtë po shohim po studiojmë formën e koalicionit që do të jetë me rezultatin optimal për opozitën”, thekson Paloka.

PD do të kërkojë të jetë fituese në 12 qarqe të vendit, por Paloka thekson se gara do të jetë e fortë në qarqet që prodhojnë më shumë mandate.

“Qarqet me numër deputetësh më të madh do të kenë edhe përqendrimin kryesor, pa lënë jashtë vëmendjes edhe qarqet më të vogla”, shprehet demokrati.

Partia Demokratike ka përmbyllur tashmë fazën e parë të përzgjedhjes së kandidatëve për deputetë, ndërkohë që pritet që kryesia e Partisë Demokratike të vlerësojë produktin e Komisionit të Vlerësimit të Kandidatëve. /abcnews.al