Otto Baric, ish-trajneri i Shqipërisë, para tre ditësh humbi betejën me COVID-19 dhe lajmi i ndarjes së tij nga jeta ka prekur shumë njerëz. Kroati kishte bërë një punë të mirë në vendlindje dhe në Austri, ndërkohë që edhe në vendin tonë punoi për një vit dhe la mbresa pozitive.
Vdekja e Baric ka prekur edhe presidentin e FIFA-, Gianni Infantino, i cili ka dërguar një letër ngushëllimi për Federatën Kroate të Futbollit, ndërkohë që nuk harron as FSHF-në dhe Federatën Austriake të Futbollit.
“Dëshiroj të shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta dhe të përzemërta për ndarjen nga jeta të ish-trajnerit të kombëtares dhe figurës emblematike të futbollit kroat, Otto Barić. Fjalët duken të pamjaftueshme për të shprehur trishtimin që ndiejmë për këtë humbje”,
“Ai ishte trajner i klubeve në Kroaci, Gjermani, Austri dhe Turqi, duke fituar disa tituj me FC Wacker Innsbruck, SK Rapid Wien, FC Red Bull Salzburg dhe GNK Dinamo. Ai gjithashtu ishte trajner i ekipeve Kombëtare të Austrisë, Kroacisë dhe Shqipërisë, që ishte edhe emërimi i tij i fundit”.
“I konsideruar si një nga trajnerët më të suksesshëm të futbollit kroat të të gjitha kohërave, një legjendë e trajningut, udhëheqës dhe motivues i ekipit, trashëgimia dhe arritjet e tij, e në veçanti lidershipi i tij, personaliteti i tij dhe cilësitë e tij njerëzore nuk do të harrohen kurrë.
Ai do të na mungojë shumë. Në emër të komunitetit ndërkombëtar të futbollit, unë dëshiroj të përcjell ngushëllimet tona më të ndjera për Federatën Kroate të Futbollit, dhe për familjen, miqtë dhe të dashurit e Otto Baric”, shkruhet në telegramin ngushëllimit. /abcnews.al