Politikat e jashtme e presidentit amerikan, Donald Trump, e sidomos në fushën ekonomike me vendosjen e tarifave për importin e hekurit dhe aluminit nga Kina, po përforcojnë gjithnjë e më shumë marrëdhënien mes Brukselit dhe Pekinit.
Brukseli dhe Pekini janë gjithnjë e më pranë për t’u përballur me vendimet e presidentit amerikan Donald Trump. Pas vendosjes në fuqi nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të tarifave për importin e hekurit dhe aluminit, dy superfuqitë ekonomike kanë vendosur të përmirësojnë marrëdhëniet e tyre tregtare.
Gjatë samitit BE–Kinë në Pekin, komisionerja europiane për tregtinë, Sesilia Malmstrom, pohoi se Kina kishte pranuar të mbante hapur tregjet dhe të luftonte proteksionizmin. Kjo ka qetësuar Bashkimin Europian dhe komunitetin e tij sipërmarrës. Gjithsesi premtimet duhet të përkthehen në fakte, sipas Malstrom.
Pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kina është partneri i dytë tregtar i Bashkimit Europian. Tregtia mes dy palëve vlen më shumë se 1.5 miliardë euro në ditë. Në vitin 2017, Bashkimi Europian ka eksportuar mallra për një vlerë rreth 198 miliardë euro dhe ka importuar për 374 miliardë euro.
Marrëdhënia është dhe më e mirë kur bëhet fjalë për investime, pasi Kina ka shtuar praninë e saj në tregun europian. Të dy partnerët vendosëën të organizojnë një tryezë të përbashkët pune për reformat në Orgnanizatën Botërore të Tregtisë, por vështirë se Pekini do të mund të zëvendësojë Shtetet e Bashkuara të Amerikës si një partner tregtar i privilegjuar.
Paradoksi qëndron në faktin se Brukseli ka të njëjtat shqetësime si ato amerikane për Kinën. Sidomos përsa i përket kapacitetti prodhues.
Megjithatë qasja e ashpër e Shtëpisë së Bardhë ndaj Bashkimit Europian mund të vulosë aleancën me Pekinin, i cili po përpiqet të vendoset në rolin e një partneri më të besueshëm./abcnews.al