Vrasja e Klodian Rashës nga efektivi i policisë shkaktoi tension dhe protesta në vend.
Prej 6 ditësh qytetarët protestojnë në kryeqytet dhe jo vetëm, pasi edhe vende të tjera i janë bashkuar zërit të protestuesve me thirrjet “Drejtësi për Klodianin”.
Në një intervistë për Abc-ja e mëngjesit, Gjergji Vurmo, drejtor Programi pranë Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim, tha se kërkesat e protestuesve pas vrasjes së të riut janë të qarta dhe sipas tij asnjëherë në asnjë protestë nuk është kërkuar kaq saktësisht zgjidhja e një problematike.
“Nuk mbaj mend të ketë pasur një kërkesë qytetare të ketë ngritur kaq qartë kërkesën e saj ristrukturim të Policisë së Shtetit. Reforma në polici, reforma e vërtetë fillon me pavarësimin e policisë. Unë do të shpresoja shumë që protesta të vazhdojë dhe të përqendrohet tek kjo pikë. Duke pasur parasysh që kuadri ligjor është ky që është edhe nëse hiqet Ardi Veliu, nesër do të vijë një tjetër.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit nuk hiqet nga prioritetet dhe presioni i qytetarëve, por për të është më e rëndësishme që Ministri i Brendshëm të jetë i kënaqur me të dhe e gjithë struktura e policisë më pas aplikon të njëjtën strukturë pune. Ndërsa policia duhet të ketë rol tjetër”, tha ai.
Gjatë intervistës në studio, Vurmo tha se në këto 30-vjet elita ende nuk ka miratuar një rezolutë për të dënuar krimet e komunizmit.
Gjithashtu ai theksoi se tashmë kërkesa e qytetarëve për siguri është e qartë, ndërsa shtoi se kjo do të mund të arrihet nëse policia i kthen sytë tek qytetarët.
“Në 30 vjet ky shtet akoma nuk ka miratuar një rezolutë për të dënuar krimet e komunizmit. Në këto 30-vjet kjo elitë nuk është ndarë nga krimet e komunizmit. Kryeministri nuk do ta ketë aspak të vështirë që t’i bindet urdhrave të tij edhe nëse hiqet Ardi Veliu.
Për ne si qytetarë është më rëndësi kërkesa që bëjnë qytetarët në protestë, unë nuk dua të dhunohem më, kërkoj të kem garanci në mes të natës. Por do të mund të sigurohet një garanci e tillë nëse policia i kthen sytë tek qytetarët”, tha më tej Vurmo.
/abcnews.al/