Thaçi tregon se çfarë duhet të sakrifikojë Kosova për marrëveshjen

schedule14:46 - 19 Korrik, 2018

schedule 14:46 - 19 Korrik, 2018

Presidenti i Kosovës tregoi se çfarë duhet të sakrifikojë për të arritur marrëveshje pajtimi me Serbinë. Gjithashtu Thaçi ripërsëriti se Vuçiç akoma e mendon Kosovën pjesë të Serbisë.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi rithekson edhe njëherë, se të mërkurën zhvilloi takimin më të shkurtër, por edhe më të vështirin me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç të ndërmjetësuar nga Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini. Kreu i shtetit la të kuptohet se Vuçiç nuk pranon marrëveshjen me njohje reciproke.

Hashim Thaçi: “Nuk është e lehtë të bisedohet me serbin Aleksandër Vuçiç që ende mendon se Kosova është pjesë e Serbisë. Është një ëndërr e serbëve që Kosova është zemra e Serbisë, apo Kaçaniku është zemra e Serbisë siç u përmend. Pozicionet janë shumë të ndara mes nesh, pozicioni i serbëve është larg realitetit”.

Thaçi u shpreh se pavarësisht vështirësive, dialogu do të vazhdojë javëve në vazhdim deri në arritjen e marrëveshjes përfundimtare. Dhe për këtë, ai bëri të ditur se nga çfarë duhet të heqë dorë Kosova.

Hashim Thaçi: “Duhet ta sakrifikojmë populizmin, zërat nacionalistë, duhet t’ia dimë hallin vetes.  Kur thash për sakrificë mendoj që sakrifica më e madhe është të ulemi me presidentin Vuçiç. Nuk ka asnjë rrezik për pavarësinë e Kosovës, as për sovranitetin e saj. Nuk ka rrezik nëse arrihet një marrëveshje e paqes. Kemi përgjegjësi që të nisemi përpara, me hapa të kujdesshëm”.

Më tej, presidenti i Kosovës tha se procesi në vazhdim, sipas tij, do të jetë edhe më i vështirë, por nënvizon se e mban shpresa për marrëveshjen përfundimtare. Ndër të tjera, ai foli edhe për hetimet lidhur me vrasjen e politikanit serb  të Kosovës, Oliver Ivanoviç. Sipas Thaçit, zgjidhja e kësaj çështjeje, e cila do të vijë shumë shpejt, do të sjellë shqetësime për disa persona në Kosovës dhe Serbi./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!