Interi arriti të fitojë një ndeshje shumë të vështirë sot ndaj Cagliarit me shifrat 3-1. Vendasit gjetën golin të parët me Sottil, teksa pjesa e parë u mbyll me avantazhin e Cagliarit.
Skuadra e Antonio Conte e nisi të dytën pa shumë presion, por dalëngadalë u afruan në portën e Cagliarit dhe në minutën e 77 erdhi goli i barazimit. Ishte Barella, që rinisi drejt portës një top të kthyer nga mbrojtja pas një goditje këndi.
Rastet dhe golat e CAGLIARI-INTER
Mesfushori lëshoi një goditje të frikshme, që nuk i dha asnjë shans portierit kundërshtar. Goli i dha zemër zikaltërve dhe mësynë të gjithë sulm. Goli i avantazhit erdhi në minutën e 84-t. Një minutë më parë Hakimi doli nga fusha i dëmtuar dhe në vend të tij u aktivizua D’Ambrosio.
Ky i fundit gjeti golin e fitores pas një krosi nga e djathta. Pas këtij goli Cagliari u shthur dhe pësoi edhe një tjetër gol. Këtë herë ishte Lukaku, që tundi rrjetën për herë të 9-të në këtë sezon në Serie A.
Inter merr një fitore shumë të rëndësishme edhe për moralin e skuadrës, pas eliminimit të dhimbshëm nga Champions League. Djemtë e Contes renditen të dytët momentalisht me 24 pikë pas 11 ndeshjesh. /abcnews.al