Nga Ahmed Ra’fatKayhan “Worldcrunch”
Zyrtarët iranianë kanë reaguar butë, dhe madje me kujdes, ndaj vrasjes muajin e kaluar të Mohsen Fakhrizadeh, i përshkruar nga mediat vendase si ekspert në disa fusha, përfshirë mjekësinë, fizikën bërthamore dhe raketat balistike.
Një zëdhënës i Gardës Revolucionare Iraniane, u përpoq të zbuste deklaratën e ashpër të komandantit të Gardës, Husein Salami. Ndërkohë, në vend se të zotohej për një hakmarrje të përgjakshme, Udhëheqësi Suprem Ali Khamenei bëri thirrje që “ata që urdhëruan dhe e kryen” aktin të gjenden dhe të ndëshkohen.
Pa dyshim që për të mbuluar dobësinë e tyre strategjike,zyrtarët iranianë do të përdorin edhe njëherë qasjen e “durimit strategjik”. Nga fillimi i këtij viti, janë rrëzuar të paktën 4 simbole të Republikës Islamike, megjithëse “durimi strategjik” e ka shkurajuar regjimin nga reagimi më me vendosmëri.
Në janar, pranë Bagdadit, dronët vranë gjeneralin e Gardës Revolucionare Qasem Soleimani së bashku me Abu Muhandis Al-Mahdi, kreun e një milicie irakiane që mbështetet nga Teherani. Soleimani ishte një simbol i fuqisë së Republikës Islamike në rajon.
Në kundërpërgjigje, pati disa goditje me mortaja mbi një bazë amerikane në Irak, megjithëse askush nuk u vra. Në fakt, u tha se zyrtarët irakianë ishin paralajmëruar për sulmin paraprakisht, në mënyrë q ëata t’ia kalonin informacionet amerikanëve!
Irani nuk mund t’i japë më mbështetje libanezëve dhe irakianëve. Më 2 korrik, një shpërthim i madh dëmtoi impiantin bërthamor iranian në Natanz, një simbol i programit bërthamor të regjimit. Republika Islamike bëri sërish disa kërcënime, por nuk shkoi më tej.
Më 7 gusht, një burrë dhe vajza e tij u raportuan të vrarë në një nga zonat më të populluara të Teheranit, në Pasdaran. Në atë kohë u tha që ata ishin libanezë. Por në nëntor, u bë e qartë se viktimat ishin numri 2 i Al-Kaidës, Abu Muhammad Al-Masri dhe vajza e tij, e veja e Hamza bin Laden, djalit të themeluesit të grupit të terrorit Osama bin Laden.
Pastaj ndodhi vrasja e fundit më 27 nëntor. Fakhrizadeh ishte i njohur prej vitesh nga OKB, qeveritë perëndimore dhe Izraeli, si një figurë e vjetër me peshë në programet bërthamore dhe balistike të Teheranit. Ai ishte një tjetër simbol, dhe tani edhe ai është zhdukur.
Qasjen e “durimit strategjik” e mbështesin shumë zyrtarë, politikanë dhe mbështetës së Republikës Islamike, që janë më se të vetëdijshëm mbi dobësinë sistematike dhe strategjike të regjimit. Ata janë të shqetësuar se një reagim i fuqishëm mund të provokojë një luftë me Izraelin, të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, të cilën ata e dinë se regjimi nuk mund t’i rezistonte.
Të tjerët, për të cilët duhet thënë se kanë pak ndikim mbi politikat e regjimit, si botuesi i shquar Hussein Shariatmadari, duan një përgjigje të prerë. Ata besojnë se një durim i tillë është i padobishëm, dhe vetëm sa do të inkurajojë Izraelin, Arabinë Saudite dhe SHBA-në që të shtojnë presionet mbi Teheranin, në mos edhe t’i hapin rrugën operacioneve më të gjera brenda Iranit.
Që nga viti 2019, pushteti rajonal i regjimit është sfiduar nga njerëzit e zakonshëm në Liban dhe Irak. Republika Islamike e di se nuk mund të pretendojë më mbështetjen e opinionit publik apo të qeverive libaneze dhe irakiane.
Pak kohë më parë, qeveria irakiane hodhi poshtë propozimet e Teheranit për një bashkëpunim ushtarak, ashtu siç kishte bërë Libani muaj më parë. Për reformatorët iranianë dhe mbështetësit e tyre jashtë vendit, vrasja e Fakhrizadeh shihet si një komplot, që synon të sabotojë perspektivat e bisedimeve midis regjimit dhe administratës së ardhshme të SHBA-së.
Kjo do të thotë se operacioni u planifikuar dhe zbatua meqë fitues i zgjedhjeve ishte Joe Biden! Por, duke supozuar se një operacion i tillë kërkon planifikim me disa muaj dhe jo
javë, dhe nuk mund të ishte planifikuar pas zgjedhjeve të 3 nëntorit, atëherë dikush mund të pyesë veten nëse eliminimi i këtyre simboleve, nuk është dhe aq një ndihmë sesa një pengesë e dukshme për bisedimet.
Kohët e fundit Biden ka folur për kushtet që ka vendosur SHBA-ja,në mënyrë që të rikthehet në tryezën e bisedimeve mbi paktin bërthamor të vitit 2015, të braktisur nga presidenti Donald Trump, akt që mund ta vështirësojë rikthimin. Ai tha për CNN se ri-përfshirja e SHBA-së në këtë pakt, duhet t’i hapë rrugën bisedimeve mbi çështje të tjera, siç janë veprimtaritë e Irait me raketat balistike, dhe ndërhyrjet e tij në rajon.
Eliminimi i Soleimani dhe Fakhrizadeh, mund t’i lehtësojë bisedimet mbi këto ccështje. Ndërkohë, regjimi i Iranit ka probleme në të gjitha frontet. Dobësia e pozitës së tij në Siri është bërë e dukshme, teksa Izraeli po kryen më shumë se 300 sulme ndaj objektivave atje, që Teherani të nisë të reagojë.
Shërbimet inteligjente dhe forcat iraniane të sigurisë, kanë treguar dobësitë e tyre me paaftësinë e përsëritur për të parandaluar vrasjet e shënjestruara, apo sabotimin e instalimeve bërthamore. Aparati i sigurisë, ka shkarkuar një pjesë të personelin e tij, ndërsa dhjetëra agjentë janë arrestuar vitet e fundit me akuzat e spiunimit për llogari të fuqive të huaja.
Edhe protestat popullore të viteve 2018-2019, ishin një kambanë alarmi për autoritetet iraniane, ndërsa disa nga informacionet që dalin nga ky vend, sugjerojnë se autoritetet mund të jenë të detyruara të shtypin një raund tjetër të protestave masive.
Dhe pastaj është situata e rënduar ekonomike. Në këto kushte, bisedimet janë mënyra e vetme që një regjim që ka pak para të thata, për të rimarrë mbi 70 miliardë dollarë fonde
të bllokuara në bankat e huaja.
Dhe këtë herë,Teherani do të ishte në një pozitë më të dobët sesa në vitin 2015. Gjeste të tilla, siç është një projekt-ligj i fundit i parlamentit, që e urdhëron qeverinë të rishikojë aktivitetet e pasurimit të uraniumit, dhe të bllokojë hyrjen e inspektorëve të OKB-së nuk do të funksionojnë, dhe mund të jenë një provë e mëtejshme e dobësisë së regjimit.
Aktualisht, Republika Islamike nuk ka asnjë strategji për t`a nxjerrë veten nga krizat e saj ekonomike, ushtarake, diplomatike dhe ajo e legjitimitetit. Ajo do të fitonte shumë pak nga kërcënimi i Perëndimit me aktivitete bërthamore. Mënyra e vetme për të zgjatur pak më shumë jetën e vet, është të bisedohet me Perëndimin, dhe të vetmet dyshime të mbetura janë se kush do të dërgohet të përfaqësojë regjimin, dhe kur do të ndodhë kjo.
Përktheu: Alket Goce-abcnews.al