“Messi, shko te Napoli! Dëgjo zemrën dhe bëjë për Diegon. Do dilte një super film”

schedule19:59 - 11 Dhjetor, 2020

schedule 19:59 - 11 Dhjetor, 2020

Leo Messi te Napoli si Diego Maradona? Shumëkujt i ka shkuar në mend dhe është ndjerë mirë e ka nisur të buzëqeshë kur ka nisur të fantazojë se çfarë pritje dhe dashurie do t’i dhuronin “pleshit” tifozët e zjarrtë dhe pasionantë të qytetit jugor italian.

Të njëjtën gjë mendon dhe shpreson edhe Kevin Prince Boateng. Në një rrëfim për ESPN, ganezi i njohur, pjesë e Monza në Serie B këtë sezon, fton yllin e Barcelonës që të transferohet te Napoli, për të nderuar legjendën Maradona.

Leo duhet të shkojë te Napoli pasi t’i përfundojë kontrata me Barcelonën. Do të ishte diçka fantastike nëse telefonon klubin dhe i thotë: të nisem? Nuk do ia jepnin dot fanellën me numër 10 të Maradonës, por do të më pëlqente ta nderonte atë fanellë dhe Diegon, duke luajtur një ose dy sezone me Napolin.

Një zgjedhje që duhet ta bëjë me zemër, pa menduar fare për aspektin financiar. Do të ishte si një film, do i duhej të ikte në stërvitje me helikopter, pasi njerëzit do e ‘hanin të gjallë’. Do të ndihej shumë i lumtur dhe i dashur te Napoli. Do të ishte një mesazh shumë i bukur për gjithë botën, jo vetëm për sportin.

Do të doja të isha brenda lëkurës së Leos, do merrja menjëherë në telefon presidentin e Napolit dhe do i thoja troç: dua të vij të luaj me ju në nderim të Diego Maradonës“, përfundon Kevin Prince Boateng. /abcnews.al