Vrasja e Rashës, Spiropali: Po mbajmë standart të lartë evropian, politika po paguan adoleshentë

schedule19:36 - 11 Dhjetor, 2020

schedule 19:36 - 11 Dhjetor, 2020

Sipas Elisa Spiropalit, protesta për vrasjen e Klodian Rashës, është e organizuar nga politika dhe jo nga qytetarët e thjeshtë.

Në një bisedë me Jonida Shehun në “Radari Informativ” në ABC, ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin, vuri gishtin tek ish-kryeministri Sali Berisha dhe kreu i shtetit Ilir Meta.

“Mjafton të lexosh statuset e presidentit, Sali Berishës, jo më larg se dje deklaroi se më 21 janar.. ai që pretendon të vijë sërish në pushtet, nuk lodhen bashkë me Metën që të sulmojnë institucionet.”

Spiropali deklaroi se ishte në shtëpinë e familjes Rasha ndërsa aty ajo thotë se vlerësoi sjelljen e familjarëve që edhe pse në dhimbje, ishin të kthjellët.

“Isha tek familja e tij, i ati me një fisnikëri tha që do drejtësi, tek shteti im që i besoj. Polici është në burg sot, po hetohet. Do mbajë përgjegjësitë e tij. Një jetë nuk shkon dëm. Fisnikëria e tij dhe në dhimbje është shumë larg nga ajo që shohin nga turmat politike.”

Spiropali shprehu gjithashtu “respektin më të madh” për Sandër Lleshajn, i cili sipas saj, bëri një akt të paprecedent duke dhënë dorëheqjen.

“Një akt i paprecedentë. Humnera morale që e ndan nga ata që e kanë qeverisur këtë vend, çfarë diferencë e madhe është në shtet-ndërtim. Polici është në burg, ministri ka dhënë dorëheqjen, policia po heton gjithë zinxhirin e ngjarjes.”

Sipas ministres, qeveria po mban një standart të lartë evropian, ndërsa “ata mbajnë standartin e gjakatarit.”

“Standarti ynë s’ka lidhje me atë të atyre që po shkatërrojnë shtetin. Shqipëria sot nuk ka fare krahasim me Shqipërinë e 2013. Nuk kemi asnjë krahasim me të.”

Duke komentuar 21 janarin 2011, ndërsa pranoi se drejtësia nuk është vënë ende në vend, Spiropali tha se nuk mund të bëhen krahasime me një “vrasje shtetërore.”

“Nuk mund të bëni krahasime me një vrasje shtetërore…Sandër Lleshaj, nuk ka asnjë krahasim me Nokën e Bashën.” s.b/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!