Inspektorati i Lartë i Drejtësisë ka kërkuar shkarkimin nga detyra të gjyqtares Enkelejda Hoxha. Hetimi i ILD ndaj Hoxhës, nisi si rezultat i ankesës së bërë nga Ministria e Drejtësisë për lirimin e shumë personave të dënuar me burg për jetë, mes tyre dhe Endrit Doklen, ish-numri dy i bandës së Durrësit.
Burime bëjnë me dije për ABC se hetimi ndaj Enkelejda Hoxhës ka përfunduar tashmë dhe raporti me shkeljet e konstatuara i është dërguar Këshillit të Lartë të Drejtësisë bashkë me kërkesën për shkarkimin e gjyqtares. Në përfundim thuhet se shkeljet e saj diskretitojnë pozitën dhe figurën e gjyqtarit gjatë ushtrimit të detyrës. Kanë qenë 6 vendime të marra nga Hoxha në harkun kohor nga maj 2017- shkurt 2019 të cilët sipas hetimeve kanë rezultuar me shkelje.
Në janar të këtij viti, Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj kërkoi pezullimin e saj, pasi me vendimin e saj liroi nga burgu, Doklen. Në qershor, emri i Hoxhës doli sërish në skenë pas vrasjes së Hekuran Billës në zonën e Komunës së Parisit. Ai ishte dënuar me 25 vite burg për një vrasje të ndodhur në Angli por 10 vite para përfundimit të dënimit, Hoxha i fali 5 vite Billës, ndërkohë që 5 vitet e fundit i ka konvertuar në shërbim prove, duke e nxjerrë atë menjëherë nga qelia.
Ditën e djeshme, Këshilli i Lartë Gjyqësor pranoi kërkesën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për shkarkimin nga detyra për gjyqtarin Markelian Kuqo i Gjykatës së rrethit Korçë./mv.abcnews.al