Tensione dhe trazira ka pasur edhe gjatë protestës së sotme për vrasjen e Klodian Rashës në kryeqytet. Siç u pa edhe nga pamjet e transmetuara direkt, sonte pati edhe disa të shoqëruar nga policia.
I ftuar në “As Pro as Kundër”, gazetari Artan Hoxha shpjegoi procedurën që ndjek policia në kështu rastesh. Hoxha tha se procedimet dhe shoqërimet janë një praktikë që në vendin tonë ndiqet preh kohësh, po ashtu ndiqet edhe në vende perëndimore.
Gazetari shpjegon se policia ka sektore të veçanta që merren me monitorimin dhe identifikimin e personave të dhunshëm apo nxitës.
“Një procedurë standarte. Në një protestë masive, policia nuk ka mundësi të kryejë ndalime në turmë, sepse mund të vihet në presionin e tyre…Në këto raste, policia ka sektorë të veçantë, ka pjesëtarë të saj të trajnuar, që monitorojnë zhvillimin e protestës. Mundohet të identifikojnë personat më aktivë, më të dhunshëm. Ata që i bëjnë thirrje turmës për të bërë akte dhunë…”
Më pas, shpjegon Artan Hoxha, pamjet e marra përpunohen në komisariat, dhe bëhet identifikimi i personave, sepse mund të ketë edhe nga ata që vijnë nga rrethet.
Kjo punë e policisë mund të bëhet disi më e vështirë edhe nga fakti që personat që janë nxitës të turmës janë kryesisht të maskuar, por edhe maskat anti-Covid ia bëjnë policisë më të vështirë punën.
Më tej, pas identifikimit, shton Hoxha, policia vendos për ndalimin apo procedimin e personave përkatës.
“Unë mendoj që për pjesën më të madhe të tyre, pasi identifikohen, nuk shoqërohen, por procedohen, për ta vendos gjykat më tej. Sjellja e tyre në protestë nuk është e thënë që të shoqërohet me një masë represive. Element që janë shumë të rrezikshëm, ata seleketohen dhe mund të shoqërohen. Pjesa tjetër ndiqet edhe në gjendje të lire.” s.b/abcnews.al/