Sondazh

Vendimi i Hagës:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Brenda një qendre vaksinimi në Mbretërinë e Bashkuar, aty ku injektohet shpresa

schedule10:48 - 10 Dhjetor, 2020

schedule 10:48 - 10 Dhjetor, 2020

Nga Ivana Kottasová and Sarah Tilotta, CNN

Mjeku Venkat Chandra ka kaluar nëntë muajt e fundit në vijat e para të pandemisë së koronavirusit ndërsa çdo ditë e më shumë po u mungon prindërve të tij. Kriza e ka bërë të pamundur që të udhëtojë nga Mbretëria e Bashkuar për në Indi, ku ata jetojnë dhe nuk i ka parë për më shumë se një vit.

Të martën në mëngjes, ai ishte një hap më afër tyre pasi u vaksinua kundër COVID-19.

Mjeku 46 vjeçar i Spitalit Universitar të Uellsit në Cardiff, ishte një nga njerëzit e parë në botë që mori vaksinën Pfizer/BioNTech jashtë provave klinike.

Chandra dhe 224 persona të tjerë u injektuan brenda një gjimnazi në Cardiff që është shndërruar në një qendër të improvizuar vaksinimi në ditën e parë të programit të imunizimit masiv në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar.

 

“Është ende një rrugë e gjatë për të bërë, por shpresojmë që të gjithë të vijnë dhe të vaksinohen për t’i lënë radhë personave të tjerë”, tha ai. Ka qenë e vështirë për të që të mos jetë në gjendje të vizitojë prindërit e tij në Chennai.

“Në Indi, situata ka qenë edhe më e keqe, kështu që ka qenë e vështirë për mua”.

Shpërndarja e vaksinave në Britani, në më pak se një javë pasi vendi u bë i pari që miratoi vaksinën Pfizer/BioNTech për përdorim, ishte qendra e hulumtimeve, planifikimit logjistik dhe testeve klinike për muaj me radhë. Farmacistët, infermierët, punëtorët e kujdesit shëndetësor dhe vullnetarët që punojnë në qendrën e vaksinimit kanë qenë duke u përgatitur për këtë moment për javë të tëra.

 

Por Chandra, e krahasoi vaksinimin si një gërvishtje të vogël në krah. “Ishte e shpejtë dhe jo aq e dhimbshme”, tha ai, duke shtuar se do t’i inkurajojë vetë pacientët që të bëjnë vaksinimin sa më shpejt të jetë e mundur. Ata që morën dozën e parë sot do të duhet të kthehen për një tjetër brenda  tre javëve.

Sharon Chapman, një infermiere 60-vjeçare specialiste e kancerit të gjirit, doli vullnetare për të qenë pjesë e programit. Ajo mori një trajnim një javor, i cili përfshinte gjithçka, nga mënyra se si të administrohej vaksina e re dhe duke i siguruar pacientët për efektivitetin e vaksinës.

 

“Më pëlqen të mendoj se po u injektojmë shpresë njerëzve”, tha ajo. “Pas vitit të tmerrshëm që kemi pasur, ne po presim me padurim të ardhmen me këtë vaksinë”, tha mjekja.

Shpresa është te njerëzit, ata duhet të vaksinohen të gjithë dhe sa më shpejt të jetë e mundur dhe në këtë mënyrë do  të krijohet imuniteti i tufës dhe t’i kthehemi normalitetit.

Por tani për tani, duhet të respektohen protokollet e zakonshme të rrepta të sigurisë së koronavirusit. Shenjat e ngjitura në dyshemenë e palestrës tregojnë distancën e sigurt midis karrigeve individuale në zonën e pritjes, të ndarë midis kufijve të zakonshëm.

 

Vaksinat ruhen në kushte të kontrolluara rreptësisht në një frigorifer në një dhomë të veçantë. Dy farmacistë, që punojnë së bashku, kanë për detyrë të hollojnë vaksinën me klorur natriumi dhe ta ndajnë atë në pesë doza që futen në shiringa individuale. Është një proces i ri për ta. Normalisht, vaksinat mbërrijnë të holluara dhe të gatshme në shiringa.

Por për shkak se vaksina është e re, nuk ka ende kapacitet për të prodhuar dhe mbushur shiringat individuale. Kështu që i takon Rhys Oats, një farmacist 34-vjeçar dhe kolegëve që ta bëjnë këtë në terren. Ata janë përgatitur për javë të tëra.

“Ne bëmë dërgesën e parë të  vaksinave në Uells dje … ishte një gjë e rëndësishme”, tha ai.

Kërkesa për vaksinën është e lartë dhe vetëm një pjesë e vogël mund të vaksinohen– kjo është arsyeja pse qeveria e Uellsit i ka kërkuar CNN-it të mbajë sekret vendndodhjen e saktë.

 

Vala e parë përfshin vetëm punonjës të shëndetit dhe kujdesit social në vijën e frontit dhe njerëz të moshës mbi 80 vjeç.

Michael Fox, një mjek në një njësi urgjence pediatrike në Cardiff tha se ndihej shumë mirënjohës që ishte në gjendje të bënte vaksinën. “Është pak surreale”, tha ai.

“Një ndër gjërat që po mendoja gjatë udhëtimit tim ishte se sa mirënjohës jam për të gjithë punën që është bërë në komunitetin shkencor, për të gjithë vullnetarët që  janë shprehur se duhen të vaksinohen, tha ai.

Mjeku 32-vjeçar ka një arsye tjetër, më personale, për të qenë mirënjohës për vaksinën. Ai dhe gruaja e tij po presin fëmijën e tyre të parë në muajin mars.

“Ekziston një rrezik për gratë që janë shtatzënë nëse infektohen me COVID, kështu që unë shpresoj që të vaksinohen sa më shumë njerëz dhe nëse virusi është nën kontroll, atëherë unë do të jem në gjendje të jem pranë gruas time dhe të asistoj në lindjen e fëmijës tim, përfundoi ai. Përktheu Sonila Backa/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!