Slobodan Milošević: Banaliteti i së keqes!

schedule20:30 - 9 Dhjetor, 2020

schedule 20:30 - 9 Dhjetor, 2020

Aleksa Gjilas, djali i disidentit jugosllav Milovan Gjilas, do të publikonte në vitin 1993 një shkrim të quajtur “Triumfi i Banalitetit”, i cili i kushtohej as më shumë e as më pak, po Sllobodan Millosheviçit, njeriut-monstër që do të rrënonte me lumenj gjaku civilësh të pafajshëm një federatë të tërë, që nga Sllovenia e Kroacia, deri në Bosnjë-Hercegovinë dhe Kosovë, ku do të fillonte në vitin 1989 ngjitja e tij dhe ku do të kishte edhe fundin e tij mjeran.

Në vitin 1989, një koleksion fjalimesh dhe intervistash të tij, u botuan në Beograd. Horizontet e tij të ngushta intelektuale dhe fjalori i kufizuar ishin të dukshëm, titujt e kapitujve, me “thjeshtësinë” e tyre arrogante dhe të zbrazët, të kujtonin Librin e Kuq të Mao Ce Dunit.

Kishte fjali si: “Vështirësitë nuk janë as të papritura, as të pakapërcyeshme”; “Vështirësitë nuk duhet të jenë një arsye për të çmobilizuar, por për të mobilizuar veten tonë”; “E ardhmja do të jetë akoma e bukur dhe nuk është shumë larg”.

Fjalitë e thata, populiste të Millosheviçit, stili mekanik, dhe përdorimi i shpeshtë i formulave që ngjanin si rituale fetare shpjegonin më së miri audiencën dhe qëllimin; përdorimi i fjalorit ushtarak, mobilizimi, beteja, lufta, i jepnin prozës së tij sadiste një ton të ngurtë dhe luftarak. Teksti dukej se ishte në harmoni me fotografinë e madhe të autorit në kopertinën e librit, një pamje e ngurtë dhe hierarkike, pothuaj si robot. Por libri i Milloshevicit pati një sukses të menjëhershëm për publikun serb, i cili po bëhej gati për marshimet vdekje-prurëse në ish-Jugosllavi.

Millosheviç, i lindur në Serbi, nga prindër malazezë, iu bashkua partisë komuniste jugosllave në vitin 1963 kur ishte 18 vjec. I diplomuar si jurist në universitetin e Beogradit, në vitin 1964, u martua me Mirjana Markoviç, një komuniste e vijës së ashpër, e cila u bë edhe këshilltarja e tij politike.

I hyn politikës në vitin 1984, nën mbrojtjen e Ivan Stamboliç, kreu I Lidhjes komuniste të Serbisë, të cilin strukturat e pushtetit të tij, do ta ekzekutonin më vonë. Marshimi famëkeq I tij në politikë shënohet me një qasje të re politike populiste, e cila i drejtohej drejtpërdrejt popullit serb. Milloshevic, i cili bënte thirrje për një revolucion anti-burokratik, e përdor popullaritetin e tij në rritje midis serbëve për të hequr nga skena Ivan Stamboliçin në dhjetor të vitit 1987.

Dekadat e zeza për popujt e ish-Jugosllavisë kishin filluar. Hapi I parë është kërkesa e Millosheviçit që qeveria federale t’ia kalonte Serbisë kontrollin e plotë mbi provincat autonome të Vojvodinës dhe Kosovës. Milloshevic bëhet ndërkohë edhe mbrojtës I traditave socialiste të ndërhyrjes ekonomike të shtetit, duke sulmuar kështu reformat ekonomike të tregut të lirë, duke thënë se ato kishin kosto sociale.

Në vitin 1988, Milosheviç zëvendëson udhëheqjet partiake në krahinat autonome të Vojvodinës dhe Kosovës duke vënë në to njerëzit e tij dhe në vitin 1989, asambleja serbe përjashtoi Stamboliçin nga presidenca e republikës, duke e zëvendësuar atë me Milloshevicin.

Në vitin 1990, Miloshevic bën presion për të bërë ndryshime në kushtetutën serbe të cilat kufizojnë autonominë e krahinave autonome. Politikat e Millosheviçit ngjallin reagim edhe në republikat e tjera të federatës dhe rezistenca e vazhdueshme e Serbisë ndaj reformave politike dhe ekonomike përshpejton rrënimin e federatës jugosllave. Zgjedhjet pluraliste të vitit 1990 sjellin në pushtet qeveritë anti-komuniste në Kroaci dhe Slloveni. Milosheviç e shndërron ndërkohë partinë e tij në Parti Socialiste të Serbisë dhe në dhjetor të vitit 1990 rikthehet në pushtet me një mbështetje të madhe të serbëve. Në 1992, rizgjidhet në presidencën serbe.

Në 1991, Milloshevic u përball me udhëheqës të zgjedhur nga Kroacia dhe Sllovenia të cilët vazhduan të bëjnë presion për transformimin e Jugosllavisë në një konfederatë. Një zgjidhje e negociuar doli të ishte e pamundur dhe më 1991, Sllovenia dhe Kroacia, dhe më pas Maqedonia (tani Maqedonia e Veriut), shpallën pavarësinë e tyre. Në 1992 boshnjakët dhe kroatët e Bosnjës dhe Hercegovinës gjithashtu votuan për shkëputje. Si përgjigje, Milosheviç mbështeti milicët serbë të cilët po luftonin për të bashkuar Bosnjën dhe Kroacinë me Serbinë. Pas tre vjetësh luftë në shkallë të gjerë në Bosnjë, megjithatë, milicitë serbe nuk arritën të merrnin nën kontroll të gjithë territorin që dëshironin pavarësisht nga masakrat mbi popullsinë boshnjake, të papara që nga koha e luftës së dytë botërore. Në vitin 1995, ushtria kroate rimerr kontrollin në të gjithë territorin e Kroacisë, ndërkohë që marrëveshja e Dejtonit, i jep fund luftës në Bosnjë. Millosheviç ra dakord në emër të serbëve të Bosnjës për një marrëveshje paqeje në nëntor 1995.

BETEJA E FUNDIT

Në vitin 1945, kur në Jugosllavinë e atëhershme u krijuan gjashtë republikat, Kosovës dhe Vojvodinës iu ishte dhënë statusi i veçantë kushtetues – Krahina Autonome e Vojvodinës dhe Rajoni Autonom i Kosovës.

Kosova u bë provincë autonome pas rishikimit kushtetues të vitit 1963. Universiteti në gjuhën shqipe u hap në Prishtinë në 1969, por disavantazhet ekonomike, krahasuar me lehtësitë për serbët në Kosovë, si dhe pjesën tjetër të Jugosllavisë, çuan në protestën e studentëve dhe shtypjen e tyre brutale në 1981. Në vitin 1989, Ibrahim Rugova, udhëheqësi i shqiptarëve të Kosovës, kishte filluar një politikë të protestës jo të dhunshme kundër humbjes së autonomisë.

Refuzimi i bashkësisë ndërkombëtare për të adresuar situatën në Kosovë gjatë bisedimeve në Dejton, bëri që shqiptarët e Kosovës të kuptonin se përballja e tyre me Serbinë nuk do të mund të bëhej më me mjete paqësore. Del në skenë Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK), e cila lufton për t’i mbijetuar shfarosjes së popullsisë shqiptare.

Millosheviçi dhe njerëzit e tij në krye të pushtetit dhe të gjitha strukturave në Serbi fillojnë zbatimin e planit të menduar dhe të planifikuar gjatë për spastrimin e përgjakshëm të Kosovës nga shqiptarët. Masakrat pasojnë njëra-tjetrën dhe nuk kursehen as fëmijët, as gratë, as pleqtë. Në fushat dhe malet e Kosovës kishte zbritur gjithë llumi i Serbisë, jo vetëm njësitë e rregullta të ushtrisë dhe policisë, por çdo grup i mundshëm paramilitar që nuk synonte thjesht të realizonte detyrën e vënë nga Beogradi zyrtar, por edhe të bënte plaçkë lufte.

Perëndimi po shihte me prova dhe fakte atë që po ndodhte në Kosovë, mizori për të cilat ata kishin shpresuar se do të mbylleshin me Bosnjën. Përpjekja diplomatike përmes negociatave të Rambujesë në Francë përfundon me Serbinë që nuk pranon të nënshkruajë asgjë dhe në mars, fillojnë sulmet ajrore të NATO-s kundër objektivave dhe infrastrukturës ushtarake serbe. Përgjigja e Millosheviçit ishte e njëjta, pa asnjë ndryshim, masakra, vrasje, dhunime, dëbime masive. Millosheviçi nuk ishte tërhequr asnjë grimë nga strategjia shfarosëse, kërkonte tokën e Kosovës, pa shqiptarë në të. Por këtë herë, Perëndimi nuk mund të mbyllte më sytë para makinerisë së tij vrastare.

Ndodhi ajo që Sllobodan nuk e kishte besuar, për herë të parë pas luftës së dytë botërore, do të bombardohej Beogradi. Millosheviçit, por edhe gjithë rrethit të tij vrastar, po iu çoheshin mesazhet në formën e bombave, në mes të Serbisë, në kryeqytet. Megjithatë, kasapi i Ballkanit, nuk dukej se kishte ndërmend të ndalej, djajtë kishin dalë nga shishja prej kohësh dhe po mbillnin vdekje prej dekadash në ish-Jugosllavi. Masakrat, krimet, dhunimet, makabriteti, do të vazhdonin deri në qershor 1999, ndërkohë që bombardimet e NATO-s vazhdonin dhe ndërkohë që aleatët po shqyrtonin seriozisht mundësinë e futjes me trupa tokësore.

UÇK-ja në terren jo vetëm kishte mbijetuar ofensivat serbe, por kishte treguar se e kishte ndërmend të vazhdonte luftën deri në vdekjen e ushtarit të fundit. Millosheviç detyrohet të pranojë nënshkrimin e marrëveshjes së Kumanovës, e cila zyrtarizon dëbimin e hordhive serbe nga Kosova dhe futjen e trupave të NATO-s, që priten si heronj nga shqiptarët.

Millosheviç e kishte humbur edhe betejën e fundit të një diktatori të çmendur, por brenda Serbisë, barku që e polli nuk ishte shterpëzuar. Politika serbe, nuk kishte ndryshuar në thelb, ajo do të vazhdonte me mohimin e krimeve dhe përgatitjen e popullit serb për t’u ndjerë viktimë e NATO-s dhe e Perëndimit ndërkohë që shqiptarët në Kosovë do të përpiqeshin të mbyllnin plagët e luftës.

FUNDI NË HAGË

Brenda Serbisë, Millosheviç do të vazhdonte të mbante pushtetin dhe të dominonte në Republikën e re Federale të Jugosllavisë, e cila ishte përuruar në vitin 1992 dhe përbëhej vetëm nga Serbia dhe Mali i Zi. Millosheviç vazhdonte të ishte po aq i pamëshirshëm duke e mbajtur pushtetin përmes shtypjes së kundërshtarëve politikë, kontrollit mbi mediat dhe aleancat oportuniste me partitë në të gjithë spektrin politik, duke përfshirë të majtën e bashkuar jugosllave, parti e udhëhequr nga gruaja e tij, Mira Markoviç.

Pasi kishte qenë për dy mandate president i Serbisë, Millosheviçit iu ndalua me kushtetutë të merrte një mandat të tretë. Ai e mbajti pushtetin, megjithatë, duke u zgjedhur nga parlamenti federal në presidencën e Jugosllavisë në 1997.

Përpjekja e Millosheviçit për t’u ngjitur në pushtet duke marrë presidencën federale e ekspozoi  ndaj padisë nga Tribunali Penal Ndërkombëtar i Kombeve të Bashkuara për ish- Jugosllavinë (ICTY) në Hagë. Ishte e vështirë të akuzohej Millosheviçi si president i Serbisë para vitit 1997 për atë që bënin trupat jugosllave gjatë luftës në Bosnjë, por, si president i Jugosllavisë, ai ishte gjithashtu komandant i përgjithshëm i forcave të armatosura federale. Kështu që u konsiderua ligjërisht përgjegjës për çdo shkelje të ligjit ndërkombëtar të kryer gjatë konfliktit në Kosovë dhe u padit në maj të vitit 1999.

Çështja mbetej si do të çohej Millosheviçi në Hagë në atë Serbi që kishte marshuar bashkë me të në Kroaci, Bosnjë dhe Kosovë, duke lënë pas vdekje dhe shkatërrim.  Ndodhën disa zhvillime brenda Serbisë që e bënë të mundur. Trazirat nën sundimin e tij dhe rënia ekonomike bënë që në vitin 2000, në zgjedhjet presidenciale të shtatorit,  ai të mundej nga drejtuesi i opozitës Vojislav Koshtunica.

Në vitin 2001, Milosheviç u arrestua nga qeveria jugosllave dhe iu dorëzua ICTY për gjykim për akuzat e gjenocidit, krimeve kundër njerëzimit dhe krimeve të luftës. Gjyqi filloi në shkurt 2002 por pati vonesa të shumta. Millosheviç, i cili ishte jurist i diplomuar, shërbeu si avokat mbrojtës për veten e tij.

Më 11 mars 2006, u gjet i vdekur në qelinë e tij të burgut në Hagë dhe gjykata nuk arriti ta dënonte për gjithë krimet monstruoze, gjenocid dhe krime kundër njerëzimit. Diktatori, i njohur si kasapi i Ballkanit, po e mbyllte jetën dhe karrierën në një qeli burgu, duke kërkuar kafe dhe cigare, si një i burgosur ordiner.

Ligësia e tij mund të kishte një shpjegim, atë që Hana Arendt kishte përcaktuar për kriminelët nazistë, banaliteti i së keqes. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!