DOSJA/ Zbërthehet i penduari: Si e gjeta bombën që vrau Vajdin Lamajn, roli i Lul Berishës, Viktor Ymerit dhe Shullazit

schedule10:26 - 9 Dhjetor, 2020

schedule 10:26 - 9 Dhjetor, 2020

SPAK shpalli në kërkim Lulzim Berishën dhe Viktor Ymerin për vrasjen e Vajdin Lamajt dhe Artan Arsit me bombë me telekomandë vendosur në ashensor në vitin 2005 në Tiranë. I akuzuar për ngjarjen është edhe Emiljano Shullazi.

Akuzat ndaj tyre janë ngritur pas dëshmisë së njërit prej personave që ka gjetur tritolin, me të cilin u vra Lamaj.

Luftar Reçi është zbërthyer për prokurorinë duke treguar se kush ia kërkoi gjetjen e bombës.

Ndër të tjera, në dosjen e siguruar nga abcnews.al, Reçi shprehet:

Ka qenë mesi i muajit shkurt të vitit 2005 kur Lulzim Berisha më ka marrë në telefon duke më pyetur nëse kishja më nga ato “nëntëshet” që janë tritol. Bëhej fjalë për një atentat që do të përgatitej ndaj hasmit tim në Dibër. Unë nuk e bëra këtë atentat pasi pash që ai kishte fëmijët me vete. …

Më tej, Reçi shprehet se minën e mori Indrit Taulllai dhe më pas dëgjoi se ishte vrarë Vajdin Lamaj. Në lidhje me këtë, Reçi shprehet se kishte telefonuar Lulzim Berishën, por ai i kishte thënë se për ngjarjen ka dijeni Indrit Taullai.

Lexo edhe: DOSJA/ Dëshmitari që “fundosi” Lul Berishën: Si e vramë Klodian Saliun, Lenti qëlloi me skorpions, Indriti me pistoletë

Reçi deklaron po ashtu se gjatë bisedave në tavolinë, Indrit Taullai është krenuar me vrasjen e Vajdin Lamajt duke thënë se “pordhën e madhe e kishin bërë copë copë…“.

Reçi gjithasht tregon se përmes një të njohuri i kishte siguruar lëndën plasëse grupit të Lul Berishës dhe një natë kishin shkuar sëbashku me ta në garazhin e shtëpisë së tij për të përgatitur tritolin që do të përdorej për një vrasje. Në dëshminë e tij, Reçi thotë se nuk e dinte për kë bëhej fjalë.

Kur kishte pyetur se çfarë vrasje do të bëhej, Reçi tregon se grupi i Lul Berishën i ishin shprehur se bomba do të vendosej në një makinë tip “Volkswagen”, e cila do të shpërthehej në momentin që do të ishte pranë një makine tjetër.

Ndryshim plani

Por, ndërkohë që po përgatitej mina, Reçi tregon se Indrit Taullain e telefonoi dikush. Në moment, tregon ai, Taullai u kthye duke thënë se plani kishte ndryshuar dhe se për shpërthimin do të përdorej lëndë plasëse C4.

Pas 15-20 minutash, Indriti u kthye në garazh me një kuti ku shkruhej Crnegoru dhe e pash që ishte tritol C4“, shprehet Reçi.

Ti ke detyrë vetëm ta montosh në mënyrë që të jetë funksionale, gati për të shpërthyer“, tregon Reçi se i kanë thënë grupi i Lul Berishës.

Bomba u mor nga Emiljano Shullazi

Në dëshmi, Reçi tregon se minën me telekomandë që u përgatit në një garazh e mori në dorë Emiljano Shullazi, i cili ishte bashkë me një vajzë. Sipas tij, Shullazi ishte brenda një makine me ngjyrë të errët, bashkë me një vajzë kur mori bombën.

Reçi tregon po ashtu edhe për një episod, sipas të cilit Viktor Ymeri ishte mburrur në burg se “grupi i Emiljano Shullazit hapeshin kot me makina dhe femra të bukura dhe se nuk ishin për këtë punë, por vetëm për të vendosur gjoba, pasi personin që i vuri bombën Vajdin Lamajt e kishte gjetur ai nga qelia“.

Përfshirja e Viktor Ymerit

Luftar Reçi tregon edhe mënyrën se si është përfshirë në këtë ngjarje Viktor Ymeri, ose Tori, siç e thërrisnin shkurt ata.

Në njëren prej bisedave gjatë takimeve tona, u tha se Viktor Ymeri (nga burgu) kishte gjetur personin që do ta vendoste bombën mu pas qafe, në dialekt dibran që të qeshja unë. Indriti tha se Tori ka gjetur njeriun e duhur…

Vrasje me klering

I penduari i drejtësisë shpjegon edhe momentin se si është vënë në kontakt me grupin e Lulzim Berishës.

Kishim një marrëveshje me Lulin, Lentin (Plaurent Dervishaj dhe Indritin. Unë shkoja çdo ditë në Durrës dhe i takoja ata. Marrëveshja ishte se unë do të ndihmoja në vrasjen e Klodian Saliut dhe ata do të vrisnin hasmin tim“, tregon ai siç shkruhet në dosjene SPAK të siguruar nga abcnews.al.

Indrit Taullau u arrestua dy ditë më parë në Prizren të Kosovës, për ngjarjen në fjalë. Po ashtu, për të njëjtën ngjarje u arrestua edhe Viktor Ymeri.

Ndërkohë, është caktuar masa “arrest me burg” për Emiljano Shullazin, i cili ndodhet në ambientet e paraburgimit.

Prokuroria e lidh Shullazin me ngjarjen referuar dëshmisë së Luftar Reçit si edhe të vëllait të Vajdin Lamajt, i cili ka dëshmuar se dyshon se pas vrasjes ishte pikërisht Shullazi dhe grupi i tij.

Ky i fundit dyshohet nga SPAK se ishte personi që qëlloi me armë edhe në tetor 2004 ndaj Vajdin Lamajt ku ky i fundit mbeti i plagosur. /abcnews.al