SPAK ka rihapur dosjet e vjetra të vrasjeve që tronditën Durrësin pas përplasjes mes bandave. “ABC” mëson se Indrit Taullau u arrestua në Kosovë me urdhër të SPAK pasi dyshohet se është i përfshirë në dy vrasje në 2005 në Durrës, konkretisht Klodian Saliut dhe një biznesmeni me inicialet V.L.
Prej disa muajsh Struktura e Posaçme kishte rihapur hetimet duke çuar pas hekurave Taullaun. Gjithashtu për të njëjtën dosje është arrestuar edhe Viktor Ymeri, daja i Edison Harizajt të ekzekutuar në 7 Nëntor të vitit 2018, raporton gazetarja e “ABC”-së, Glidona Daci.
Dy personazhet Taullau dhe Ymeri janë emra të njohur për drejtësinë shqiptare. Indrit Taullau ka qenë i dënuar me 25 vite burg pasi u arrestua si pjesë e grupit “Banda e Durrësit” të cilët akuzohen për një sërë vrasjesh për hakmarrje ndaj grupeve kriminale rivale.
Pas arrestimit në Kosovë, Gjykata e Prizrenit vendosi 40 ditë burg për Indrit Taullaun. Tashmë ai pritet që të ekstradohet në drejtim të Shqipërisë për t’u përballuar me drejtësinë për akuzat e ngritura.
Ndërsa Viktor Ymeri u lirua një vit më parë nga burgu. Ai ishte arrestuar në vitin 1999 i dënuar me 25 vite burg për vrasjen në Durrës të Arben Pajës e Ilir Xhungës, dy miqtë e Lulzim Berishës. Ymeri konsiderohej nga Policia dhe Prokuroria si një nga njerëzit më të afërt të Gazmend Brakës, i njohur ndryshe si Gaxhai, i dënuar me burgim përjetë./db/Abcnews.al