Numri dy i Partisë Socialiste Taulant Balla ka përshëndetur thirrjen e eurodeputetëve të cilët kanë kërkuar miratimin e kuadrit të negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në takimin e sotëm të Ministrave të Çështjeve Europiane.
Balla përmes një postimi në rrjetin social Facebook, shkruan se eurodeputetët në këtë reagim kanë nënvizuar përpjekjet e gjithëanshme që janë bërë për plotësimin e të gjithë reformave.
“Përshëndes thirrjen e eurodeputetëve nga grupet kryesore politike, anëtarë të Komitetit të Politikës së Jashtme në Parlamentin Europian, duke i kërkuar Këshillit miratimin e kuadrit të negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në takimin e sotëm të Ministrave të Çështjeve Europiane.
“Shqipëria e meriton të ecë përpara në rrugën e saj drejt anetarësimit në BE”, vlerësojnë eurodeputetët, duke nënvizuar përpjekjet e gjithëanëshme në reforma, në mënyrë të veçantë në fushën e drejtësisë, gjatë viteve të fundit, sikurse vlerësohet edhe në vlerësimin e Komisionit Europian”, shkruan Balla./abcnews.al