Juventusi është gati për duelin me Barcelonën. Bardhezinjtë do të përballen me rivalët katalanas nesër në mbrëmje në “Camp Nou” (21:00), sfidë e vlefshme për vendin e parë në grupin G të Champions League.
Kampionët e Italisë duhet të fitojnë me tre gola diferencë për të rrëzuar Barcelonën nga froni, teksa Cristiano Ronaldo rikthehet të përballet me Leo Messin. Trajneri i “Zonjës”, Andrea Pirlo foli rreth ndeshjes në konferencën për shtypin, ku ndër të tjera tha:
“Nuk i besoj krizës së Barcelonës. I kemi parë ndeshjet e tyre, kanë lojtarë të fortë dhe një trajner të ri që po fut idetë e tij të lojës. Koeman ka nevojë për kohë, njësoj siç kemi ne te Juventusi. Barcelona është një skuadër e madhe, nuk ndodhen në krizë.
Duhet të paraqitemi më mirë në momentet kur topin e ka kundërshtari, nuk duhet të lëmë hapësira mes linjave. Nuk më vjen mirë kur ndonjë lojtar nuk e nis ndeshjen në 100%, por ka raste kur ndikon edhe lodhja psikologjike. Gjithsesi, nesër nuk ka shanse të ndodhë kjo gjë.
Messi-CR7? Jam dakord me Koeman, nuk mund të shprehemi se kush është më i miri midis tyre, do ishte e gabuar të themi që Cristiano është më i mirë se Leo apo e kundërta. Të dy janë fenomenë, të cilët po lumturojnë miliona tifozë. Thjesht duhen falënderuar për atë që po i japin futbollit“, deklaron Pirlo. /abcnews.al