Zjarrfikësit e Kosovës protestojnë në Prishtinë

schedule23:13 - 12 Korrik, 2018

schedule 23:13 - 12 Korrik, 2018

Zjarrfikësit nga të gjitha komunat e Kosovës kanë protestuar sot në Prishtinë para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, duke kërkuar kushte më të mira për punë dhe rritje të pagave.

“Ne jemi shpëtimtarë dhe ne shpëtojmë jetë”, janë dëgjuar brohoritjet e zjarrfikësve gjatë protestës.

Muharrem Beka, kryetar i Sindikatës së zjarrfikësve, ka treguar se në mesin e kërkesave janë edhe që të rregullohet statusi i zjarrfikësit, të definohen kompetencat menaxhuese, të sigurohet vija buxhetore dhe të bëhet nivelizimi i pagave në nivel vendi.

Qeveria e Kosovës, ka sqaruar përmes një komunikate, se ka angazhuar përfaqësuesit e saj të zgjidhin problemin.

“Ju informojmë që për herë të parë në Kosovë, e iniciuar me kërkesën personale të kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, është ndërmarrë nisma për zgjidhjen e padefinuar të statusit të tyre, përmes krijimit të koncept dokumentit, që më vonë do të bëhet edhe rregullore e punës dhe i cili do të përcaktojë qartë statusin e zjarrfikëseve në Kosovë”, thuhet në komunikatë.

Kjo rregullore, sipas Qeverisë, do të përfshijë edhe shumicën e kërkesave që zjarrfikësit i kanë, përmes komisionit i cili është thënë se po punon në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme./REL

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!