Pavarësisht armiqësisë për një sërë çështjesh, kryeministri grek Aleksis Tsipras dhe presidenti turk Erdogan kanë rënë dakord për uljen e tensioneve në detin Egje, që pak muaj më parë rrezikuan të përshkallëzoheshin.
Greqia dhe Turqia kanë rënë dakord për të bashkëpunuar, me qëllim ulien e tensioneve në detin Egje. Lajmin e ka bërë të ditur kryeministri grek Aleksis Tsipras, i cili u takua me presidentin turk Erdogan në Bruksel, në kuadër të samitit të NATO-s. “Unë konsideroj presidentin turk përgjegjës për shkeljet territoriale në detin Egje, por më në fund kemi rënë dakord të shtojmë përpjekjet për uljen e tensioneve”, ka thënë Tsipras. Dy vendet, që janë anëtare të aleancës ushtarake, janë në konflikt për një sërë çështjesh, që nga Qiproja etnikisht i ndarë e deri tek sovraniteti i hapësirës ajrore. Nga ana e saj Ankaraja pretendon se avionët luftarakë turq kryejnë rregullisht patrullime në Egje, një e drejtë kjo për të mbrojtur sigurinë e kufijve. Por tensionet dhe retorika mes dy vendeve janë rritur ndjeshëm edhe për çështje të tjera. Dy ushtarë grekë të burgosur në Turqi dhe 8 ushtarë turq që kanë kërkuar azil në Greqi janë bërë shkak për një betejë verbale në muajt e fundit. “Takimi me Erdogan, që zgjati thuajse dy orë, nuk ishte ndër më të lehtët dhe natyrisht gjatë tij u prekën edhe rastet e ushtarëve”, ka thënë më tej Tsipras. Dy ushtarët grekë u arrestuan në mars për kalim të paligjshëm të kufirit dhe akuzohen për hyrje ilegale në Turqi. Ndërsa 8 ushtarët turq kërkuan azil në Greqi pasi u akuzuan për përfshirje në grushtin e shtetit të vitit 2016 kundër Erdogan. /abcnews.al