Mjeku: Pacientët (me COVID) do vijnë në qendra për testin e shpejtë! Kush përjashtohen

schedule20:02 - 4 Dhjetor, 2020

schedule 20:02 - 4 Dhjetor, 2020

Nga e hëna në Tiranë do të nisin të aplikohen testet e shpejta për COVID-19. Në studion e Radarit Informativ në ABC me gazetaren Jonida Shehu, mjeku Rexhep Muja shpjegoi procedurën që do të ndiqet, personat që do të testohen dhe ata që përjashtohen nga kjo procedurë.

Muja tha se ata që kanë simptoma duhet të kontaktojnë mjekun e familjes dhe më pas epidemiologët do të kontaktojnë me ta. Testi do të aplikohet për personat që janë në periudhën e inkubacionit nga 1 deri në 6 ditë ndërsa për pjesën tjetër do të vijohet me testin PCR.

Ai shpjegoi se fillimisht në Tiranë janë 6 qendra që mund ta kryejnë këtë proces ku pacientët do duhet të shkojnë vetë dhe do të kthehen po vetë në shtëpi, me përjashtim të rasteve me shenja të rënda klinike kur epidemiologu do të shkojë në banesë.

Mjeku deklaroi se me futjen e testeve të shpejta, nga e hëna do fillojnë të realizohen deri në 3000 testime ditore përfshirë këtu edhe PCR duke rritur gjurmueshmërinë e COVID-19. Tashmë, shtoi ai, ato do të përdoren për testimin e personave në një kompani që kanë pasur kontakt të ngushtë me një person pozitiv.

Problem që mund të haset gjatë këtij procesi, theksoi Muja, do të ishte ngecja në sistemin elektronik që do të shkaktonte vonesa, gjë e cila nuk do e cilësonte më atë një test të shpejtë, por megjithatë theksoi se janë marrë masat për të evituar incidente të tilla.

Intervista e mjekut Rexhep Muja në ABC

Si bëhet testimi?

Fillimisht marrim të dhënat e pacientit. Përgjigja vjen për 20-30 minuta. Shënohen të dhënat që të kemi saktësi. Futet tamponi në hundë. Më pas e lëmë të qetë. Kemi bërë trajnime për testet e shpejta. Fillimisht do të nisim me Tiranën pastaj në rrethe. Për 30 minuta i hedhim të gjitha të dhënat në panel”

Kush do të testohet me testin e shpejtë?

Të gjithë ata pacientë që kanë në periudhën e inkubacionit nga 1 deri në 6 ditë. Të tjerët do i nënshtrohen testit PCR.

Që nga e hëna ata që mund të jenë me simptoma çfarë duhet të bëjmë?

Kontakt me mjekun e familjes. Pastaj ne kontaktojmë me ta.

Sa qendra janë në Tiranë?

Janë 6 qendra si fillim. Pastaj do zgjerohet edhe në qendra të tjera.

Testi i shpejtë çfarë përparësish ka veç kohës?

Ky test ka ndjeshmëri 100%. Ti kërkon sëmundjen. Përmes këtij testi realizohet më shpejt dhe kemi garanci të plotë. Pas rezultatit të këtij testi nuk ka nevojë për ritestim.

I bie që këto teste do të përdoren për ata që kanë ngarkesë të madhe virale. Po asimptomatikët?

Mund të përdoret për arsye depistuese. E rëndësishme që nëse në një familje do kapësh një person pozitiv, duhet të listosh kontaktet.

Do fillojë të përdoret në raste ku grumbullime të mëdha. Do testohen kontaktet?

Tani i jep mundësi më shumë personave të testohen. Ata që dalin pozitivë duhet të karantinohen. Karantina duhet të nisë që me nisjen e shenjave edhe pa bërë testin. Ndryshe nuk i bëjmë dot ballë edhe ne. Ndihma e qytetarëve na duhet.

Mendoni se do jetë më e suksesshme lufta nga e hëna e tutje?

Patjetër. Nga e hëna mund të shkojmë edhe në 3000 teste brenda ditës. Në varësi të ecurisë së punës së procedurave.

Cilat janë pikat e dobëta të këtij procesi?

Nëse informacioni elektronik p.sh vonohet, vonohet edhe procedurat dhe pastaj nuk quhet më testi i shpejtë.

Ku do të jeni të hënën?

Pranë zyrave tona bashkë me kolegët tanë.

Do të vijnë të sëmurët te ju apo do shkoni ju?

Ne duam ta organizojmë që të sëmurët të vijnë te ne. Por nuk duam vetëm të qëndrojmë sepse ka edhe të moshuar dhe detyrimisht do shkojmë në familje.

Si e kanë pritur mjekët e familjes?

Mezi e kanë pritur

A ka problem që mjeku i familjes nesër do shkojë të bëjë testit. A ka rrezik?

Mirë është që gjithçka ta drejtojë epidemiolog. Por në fazën e dytë me një trajnim dhe përkujdese e vullnet mund të bëhet.

/mv.abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!