“As pro, as kundër”, është programi më i ri, drejtuar nga Robert Aliaj që nis mbrëmjen e sotme në ekranin e ABC dhe do të shoqërojë publikun çdo të enjte në orën 21:00.
Robert Aliaj shfaqet për herë të parë në një format ndryshe nga ç’jemi mësuar ta shohim. Aliaj gjithnjë është treguar i qartë në mendimet e tij, ose pro ose kundër, mirëpo për të mësuar më shumë se kush është pozicioni i Robertit këtë herë, ai ishte i ftuar në Radarin Informativ.
Gjatë bashkëbisedimit me Jonida Shehun, Aliaj zbuloi detaje rreth programit të tij, ndërsa theksoi se këtë herë nuk është vetvetja.
“Në këtë format jam jashtë vetvetes. Nuk jam fare vetvetja në kuptimin individual, unë dua të jem dikush, dua të jem, ai shoferi, minatori, gruaja e policit. Do jem ai personi që nuk i di gjërat. Unë jam ai shqiptari që nuk ka ndryshuar gjë fare se po ta kishin kuptuar do e kishin ndryshuar. Gjërat i ndryshojnë njerëzit, jo politikanët. Këtu nuk çohet njeri, se është manipuluar, shkatërruar, nuk ka shije, nuk ka as opinion.
Shqiptarët nuk e them me konotacion negativ, kur them që s’janë qenie njerëzore. Mediat kaq shumë i kanë shkatërruar shqiptarët. Kaq tmerrësisht i kanë keqinformuar. Janë ekstrem të shitura mediat edhe kjo gjë ka bërë që publiku e ka humbur fillin. Unë do të jem ai individi që e ka humbur fillin”, tha ai.
Mediat i cilëson të shitura, por çfarë e shet Robert Aliajn? “Nuk ka si të shitem unë. Po të më japin 1 milion euro do të shitem edhe unë. Por nuk japin 1 milion euro këta. Këta të blejnë me shumë pak. Ideja është që unë të qëndroj vetvetja. Jam shumë i vogël në moshë për tu shitur. Kam ngelur idealist, e shijoj jetën”, thekson ai.
I pyetur nga Jonida Shehu nëse do t’ja prishin shijen e jetës të enjtet në të cilat është i detyruar të jetë në ekran, Aliaj e cilëson sfidë. “Këtë e di. Unë nuk jam gazetar që ta shijoj. Në jetën time kam bërë shumë sfida dhe kam thyer turinj shumë, mirëpo aq shumë më pëlqen të thyej turinjtë. Prandaj edhe rrezikoj gjithmonë. Nuk jam as gazetar. Kur ju shikoj juve ju adhuroj, sa e zonja është kjo sa e mirë, unë se bëj dot këtë gjë. Po të më vësh para një telajo të vizatoj aty humbas gravitetin”, tha ai.
Me këtë format Robert Aliaj vjen në të enjten e debatit të nxehtë politik, mes Blendi Fevziut në një anë dhe Eni Vasilit nga ana tjetër, por sipas tij nuk ka qëllim të futet mes tyre, pasi nuk është gazetar.
“Unë do futem në mes të këtyre njerëzve që i respektoj për punën që kanë bërë. Nuk shikoj asgjë nga jeta private dhe a janë të shitur apo jo. Praktikisht mediat janë të shitura. Unë do futem në këtë treg pa pretendimet e gazetarit, me pretendimet e një qytetari që është i zhgënjyer. Do futem pa dëshirën për të krijuar sherr dhe pa krijuar te publiku përshtypjen se erdhi edhe një pulari tjetër”, deklaron ai.
Shkopi nuk do të mungojë edhe në këtë program ndryshe të tij. “Shkopi është një gjymtyrë”, thotë Aliaj.
Por për çfarë është pro dhe për çfarë kundër Robert Aliaj? “Unë jam kundër të gjithë klasës politike shqiptare e cila duhet të zhduket që nesër. Janë të gjithë gabim, 30 vjet këtu është shkatërruar. Unë jam pro që të zhduken me risqe shumë të mëdha revolucioni. Këta të zhduken fare dhe të vihen studentë, nuk e di të bëhet një gjë. Duhet të vinë teknicienë që nuk kanë lidhje me politikën”, thotë ai. g.v/abcnews.al