Bllokimi i pjesshëm në Gjermani do të zgjatet deri në 10 janar, njoftoi së fundmi Kancelarja Angela Merkel. Kancelarja bëri të ditur vendimin pas përfundimit të telekonferencës me Kryeministrat e shteteve.
“Ne jemi ende shumë larg objektivit,” tha ajo, duke shtuar se miratimet e para të vaksinave nga BE priteshin në fund të dhjetorit.
“Në thelb, situata mbetet e njëjtë,” tha Merkel, duke vënë në dukje se nuk kishte asnjë mundësi lehtësimi të kufizimeve pasi shtoi se ” jemi ende shumë larg nga shënjestra e 50 rasteve për 100,000 banorë në një javë”.
Qeveria në Gjermani ka njoftuar tashmë një lehtësim të kufizuar të masave në lidhje me kontaktet sociale të qytetarëve, për periudhën nga 20 dhjetor deri në 2 janar. Sidoqoftë, restorantet, klubet e natës dhe palestrat do të qëndrojnë të mbyllura deri të paktën më 10 janar. Kancelarja tha se situata do të rivlerësohet më 4 janar. g.v/abcnews.al