Rama bën bilancin e rindërtimit në Kurbin: Politika është në duar të mira, jam krenar

schedule18:44 - 2 Dhjetor, 2020

schedule 18:44 - 2 Dhjetor, 2020

Kryeministri Edi Rama ka bërë bilancin e rindërtimit në Kurbin duke folur me shifra për atë që është bërë dhe atë që do të bëhet në vitin që vjen. Ai thotë se është krenar që po “ndryshojmë për mirë jetën e mijëra fëmijëve e familjeve”.

“Shumëkush kujton, krejt gabimisht, se politika është një e keqe e madhe në vetvete dhe se politikanët janë të gjithë njësoj! Por pa politikën nuk do të kishim pasur qytetërimin demokratik, as Shtetet e Bashkuara, as Bashkimi Europian, as Karta e Lirive e të Drejtave të Njeriut, as shteti social, as artet e kultura dhe as miliona e miliarda të mira të tjera për njerëzit e kësaj bote, nuk do të ekzistonin po të mos ekzistonte politika!

Dhe nëse politikanët do të ishin të gjithë njësoj edhe gjërat do të mbeteshin gjithnjë njësoj! Po pikërisht pse politika siç bie në duar të këqija e bën keq, bie edhe në duar të mira e bën mirë dhe falë faktit se politikanët nuk janë të gjithë njësoj, edhe shumë gjëra ndryshojnë për mirë në jetën e vendeve!

Krenar që po ndryshojmë për mirë jetën e mijëra fëmijëve e familjeve, që u goditën nga tragjedia e 26 nëntorit të shkuar, falë pasionit politik për ndryshimin, i cili është edhe arsyeja pse unë merrem me politikë.

Në Kurbin:

  • Angazhuar 8 kompani shqiptare, krahas kompanisë turke që po vijon punimet në kantierin 1 të lagjes së re, me 524 apartamente, nga të cilat 160 të parat do të përfundojnë brenda muajit mars 2021 dhe pjesa tjetër në qershor 2021, plus 375 vende parkimi, 1 qendër tregtare dhe 37 njësi shërbimi
  • Ka nisur puna me infrastrukturën, për ndërtimin e mbi 200 apartamente të tjera me fondet e qeverisë shqiptare, në kantierin 2 të lagjes së re, ku do të zgjidhet përfundimisht edhe sistemimi i përroit të qytetit, shkaktar përmbytjesh prej dekadash
  • Nisin së shpejti 211 banesa individuale
  • 180 pallate fillojnë nga puna meremetuese për 1500 familje
  • Përfundon 1 shkollë brenda vitit 2020 me fondet e qeverisë shqiptare. Nisin së shpejti edhe 9 objekte arsimore nga të cilat 2 të financuara nga buxheti i shtetit dhe pjesa tjetër me fondet e donatorëve
  • Nis puna së shpejti edhe për rindërtimin e spitalit të qytetit dhe godinës së bashkisë
  • 1820 familje janë shërbyer me grante rikonstruksioni nga 100 mijë deri ne 500 mijë lekë, me një total prej 500,900,000 lekë
  • 1615 familje shërbehen me bonus qeraje prej muajit Dhjetor 2019 deri në kthimin në shtëpi” shkruan Edi Rama./ db/Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!