Britania e Madhe ka festuar 100-vjetorin e krijimit të Forcave Ajrore Mbretërore, me një seri paradash tokësore e ajrore, që ekspozuan teknologjinë e fundit luftarake. Mbretëresha Elizabeta e Dytë ka vlerësuar rolin e forcave ajrore në ruajtjen e sigurisë së Mbretërisë së Bashkuar.
Disa mijëra njerëz u mblodhën të martën jashtë pallatit Bakingam në Londër, për të ndjekur eventin që shënoi 100-vjetorin e krijimit të Forcave Ajrore Mbretërore. Anëtarët e njësisë ushtarake elitë parakaluan në rrugët e Londrës, ndërsa rreth 100 avionë fluturuan në qiellin e kryeqytetit britanik. E rrethuar nga anëtarët e familjes mbretërore, mbretëresha Elizabeta e Dytë nderoi ditën e përvjetorit të rëndësishëm me praninë e saj në UESTMINSTER ABEJ. I pranishëm, princi Ëilliam mbante veshur uniformën numër 1 të FAM dhe spaletat ushtarake që tregojnë se ai është një pilot i kualifikuar. Gjatë ceremonisë fluturuan 3 avionë luftarakë të pakapshëm nga radarët “F-35”, duke u shfaqur për herë të parë për qytetarët, ndërsa 22 “Tajfunë” formuan në ajër shifrën 100. “Forcat ajrore kanë luajtur një rol të rëndësishëm në mbrojtjen e Britanisë në këto 100 vjet. Guximi, aftësia dhe trimëria janë tre elementët që i karakterizojnë”, tha mbretëresha në mesazhin e saj. Sipas policisë metropolitane të Londrës, nga 65 deri në 70 mijë persona ndoqën eventin, që mbajti për disa orë të bllokuara rrugët e qytetit. Të pranishëm ishin veteranë dhe oficerë të lartë të forcave ajrore, si dhe politikanë të shumtë, mes të cilëve kryeministrja Theresa May dhe lideri i opozitës Jeremy Corbyn. Më 1 prillin e vitit 1918, trupat ajrore mbretërore dhe shërbimi ajror i marinës britanike bashkuan forcat duke krijuar Forcat Ajrore Mbretërore, njësia e parë luftarake e pavarur në botë. /abcnews.al