Peshkatarët sicilianë shpesh shkojnë për peshkim shumë larg në det të hapur. Madje edhe deri pranë ujërave territoriale të Libisë, sepse aty në thellësitë e detit mund të kapin karkalecat e famshëm të kuq të Detit Mesdhe. Karkalecat e kuq janë mjaft të lakmuar dhe kjo delikatesë mesdhetare kërkohet në restorantet më të mira të botës.
“Në kohë të mira, ne fitojmë 550 euro për një kuti kartoni me 12 kilogramë me karkaleca të kuq të klasit të parë, pra 45 euro për kilogram!” – tregon Filippo Adamo, kapiten i një anijeje peshkimi.
Prandaj edhe peshkatarët e Mazara del Vallo, portit më të madh të peshkimit në Siçili, kalojnë javë të tëra në det. Dhe ata janë jo vetëm deri në dy muaj larg shtëpisë, por edhe rrezikojnë shumë. Sepse Libia e konsideron zonën detare pranë brigjeve të saj edhe përtej zonës prej 12 miljesh sikurse parashikohet në konventat ndërkombëtare, si territorin e saj sovran dhe anijet e rojes bregdetare libiane sulmojnë peshkarexhat e huaja.
Incidente të vazhdueshme
Që nga fillimi i shtatorit 18 peshkatarë të dy peshkarexhave italiane mbahen të arrestuar në Bengazi nga gjenerali Haftar, i cili po i përdor ata si mjet presioni për të forcuar pozicionin e tij në bisedimet për luftën civile në Libi. Incidente dhe arrestime të tilla nuk ndodhin për herë të parë. Edhe në vitin 2018 rojet bregdetare liniane u përpoqën të sekuestronin disa anije peshkimi italiane.
Por peshkatarëve dhe peshkarexhave u erdhi në ndihmë marina Italiane me një helikopter. Anija e rojes bregdetare libiane u detyrua të sprapsej. Gjithësesi që nga ajo kohë Roma është tërhequr nga Mesdheu Jugor. Peshkatarëve ju tha se operacioni para brigjeve të Libisë është shumë i shtrenjtë dhe politikisht i ndërlikuar, prandaj tani e tutje ata duhet ta mbajnë vetë rrezikun.
Shkelje e qartë e ligjit
Një nga anëtarët e ekuipazhit të peshkarexhave italiane që mbahet në arrest bashkë me gjashtë tunizianë të tjerë në Bengazi është Mohamedi. Libianët e kanë arrestuar atë edhe dy herë të tjera më parë. Por kurrë nuk ka qenë aq keq sa kësaj here dhe familja e Mohamedit është e shqetësuar për babain. “Herët e kaluara ishim gjithmonë në kontakt dhe e dinim si po kalonte. Telefonin e kishte gjithmonë hapur. Këtë herë nuk kemi dëgjuar prej tij asgjë prej disa muajsh. Ne nuk e dimë se çfarë po ndodh dhe nëse ai është ende gjallë,” – thotë vajza e Mohamedit, Naoires Ben Haddada.
Sipas avokatëve arrestimi i peshkatarëve përbën një shkelje të qartë të ligjit, por autoritetet italiane heshtin. Prandaj familjet e tyre protestojnë si në Mazara del Vallo edhe përpara Parlamentit në Romë. Bashkë me të afërmit e peshkatarëve protestojnë edhe pronarët e anijeve të sekuestruara. “Ne kemi nevojë për mbrojtje që të mund të peshkojmë në këto ujëra ndërkombëtare. Përndryshe herën tjetër me ekuipazhet e anijeve do të ndodhë përsëri ajo që ndodhi me anijet tona të peshkimit.” – thotë Marco Marrone i cili ka dy muaj që qëndron përpara Parlamentit duke kërkuar lirimin e ekuipazhit dhe kthimin e peshkarexhave të tij.
Familjet dhe banorët e Mazara del Vallo nuk kanë zgjidhje tjetër. Gjuetia e karkalecave të kuq në ujërat ndërkombëtare – përfshi edhe zonën para Libisë – duhet të vazhdojë sepse peshkimi i tyre është ende e vetmja gjueti fitimprurëse për portin më të madh të peshkimit në Siçili./DW