Sot është luajtur java e katërt e grupit B të Kategorisë së Dytë, teksa në grupin A u zhvillua vetëm ndeshja Valbona-Ada, që përfundoi në barazim 1-1. Të dy golat u realizuan për tre minuta. Mehja kaloi miqtë në avantazh në minutën e 31-të, por Berisha e riktheu shumë shpejt baraspeshën.
Kategoria e Dytë, grupi A
Valbona-Ada 1-1
Rikthemi te grupi B, aty ku kryeson Butrinti, që triumfoi 4-2 në Sarandë kundër Përmetit. Humbja e parë për miqtë që mbetën në kuotën e 9 pikëve dhe vendi i parë për Butrintit me 12 pikë të plota. Në vend të dytë është ngjitur Devolli me 10 pikë.
Juglindorët fituan 1-3 në fushën e Skraparit. Feston edhe Naftëtari. Skuadra kuçovare fitoi 3-0 në fushën e vet kundër Delvinës, duke siguruar trepikëshin e tretë në kampionat. Dy ndeshjet e tjera u mbyllën me fitoret e skuadrave vendase.
Albpetroli mposhti me “poker” golash Memaliajn. Fitorja 4-1 ishte e para në këtë sezon për ekipin nga Patosi. Gramozi realizoi dy gola të shpejtë në pjesën e parë, që i mjaftuan për të mposhtur 2-0 në Ersekë miqtë nga Tepelena. /abcnews.al