Nga 1 Dhjetori mësimi në shkolla do të zhvillohet në mënyrë të alternuar, online dhe në klasa. Ministrja e Arsimit Evis Kushi ka zbuluar skenarin shtojcë për vijimin e vitit shkollor 2020-2021, si rezultat i kërkesë së Komitetit të Ekspertëve. Sipas këtij udhëzuesi mësimi në klasat e arsimit fillor, nga e para në të pestën, dhe klasa e 12-të (pra maturantët) do të zhvillojnë normalisht procesin mësimor në mjediset fizike të shkollës.
Ndërsa klasat nga e 6 në të 9, si dhe klasat 10 dhe 11 do të zhvillojnë mësimin sipas një kalendari të ndarë javë tek dhe çift. Javën e parë dhe të tretë (tek) 2 ditët e para të javës në mjediset e shkollës, dhe 3 ditët e tjera të javës online, ndërsa në javët (çift), të dytë dhe të katërt ditët do të alternohen.
Kjo formë e zhvillimit të mësimit do të aplikohet vetëm në shkollat që kanë pak risk të përhapjes së Covid-19. Në varësi të situatës së krijuar nga pandemia mund të aplikohet skenari kur vetëm klasat fillore (nga 1 tek e 5) dhe maturantët zhvillojnë mësimin në klasë. Ndërsa klasat e tjera bëhen online. Ndërkohë në rastet më të rënda do të lejohen të zhvillojnë mësim në shkollë vetëm klasat e para dhe ato të dymbëdhjeta.
Situatë e lehtë e pandemisë
– Klasa e 1, 2, 3, 4, 5 dhe e 12 mësim në shkolla
-Java e parë dhe tretë e muajit: Klasat nga e 6 në të 9, si dhe klasat 10 dhe 11- 2 ditë në shkollë dhe tre ditë online
-Java e dytë dhe e katërt: Klasat nga e 6 në të 9, si dhe klasat 10 dhe 11- 3 ditë në shkollë dhe 2 ditë online
Situatë e mesme e pandemisë
-Klasa e 1, 2, 3, 4, 5 dhe e 12 mësim në shkolla, pjesa tjetër online
Situatë e rënduar e pandemisë
-Klasa e 1 dhe e 12 mësim në shkolla, pjesa tjetër online
Si do të përcaktohet situata e pandemisë në shkolla:
“Çdo të premte, shkollat në bashkëpunim edhe me Njësitë Vendore të Kujdesit Shëndetësor, do të raportojnë në Zyrat Arsimore lidhur me situatën e tyre, dhe më pas do të merret vendimi për çdo shkollë për mënyrën si do të zhvillohet mësimi.
Ky vendim do të merret nga MASR dhe do të përcillet nga Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit Parauniversitar (DPAP) tek drejtoritë rajonale dhe Zyrat Arsimore përkatëse”, tha Evis Kushi.
“Sipas këtij udhëzuesi, shkollat do të kenë fleksibilitet në përzgjedhjen e varianteve të mësimit të kombinuar, në varësi të situatës së pandemisë, numrit të nxënësve, apo kushteve të tyre specifike, por gjithmonë duke ruajtur të gjitha rregullat higjieno-sanitare dhe të distancimit fizik.
Skenari i mësimit të kombinuar do të nisë të zhvillohet nga data 1 dhjetor 2020 deri në një vendim tjetër, sipas rekomandimeve të Komitetit Teknik të Ekspertëve dhe Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale (MSHMS).
Gjatë kësaj periudhe, do të vazhdojë të zbatohet i njëjti program mësimor, të njëjtat plane mësimore e ngarkesa të mësuesve, si dhe rekomandohet të zbatohet orari mësimor që shkollat kanë aktualisht.
Çdo të premte, shkollat në bashkëpunim edhe me Njësitë Vendore të Kujdesit Shëndetësor, do të raportojnë në Zyrat Arsimore lidhur me situatën e tyre, dhe më pas do të merret vendimi për çdo shkollë për mënyrën si do të zhvillohet mësimi.
Ky vendim do të merret nga MASR dhe do të përcillet nga Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit Parauniversitar (DPAP) tek drejtoritë rajonale dhe Zyrat Arsimore përkatëse.
Sipas këtij udhëzuesi:
Klasat e arsimit fillor, nga e para në të pestën, dhe klasa e 12-të (pra maturantët) do të zhvillojnë normalisht procesin mësimor në mjediset fizike të shkollës – njësoj siç kanë vepruar deri më tani me SKENARIN 1 të Udhëzuesit për fillimin e vitit shkollor 2020 – 2021;
Ndërsa klasat nga e 6 në të 9, si dhe klasat 10 dhe 11 do të zhvillojnë mësimin në këtë mënyrë:
– Në javën tek, pra javën e parë dhe të tretë të muajit: 2 ditët e para të javës në mjediset e shkollës, dhe 3 ditët e tjera të javës online.
– Në javën çift, pra në javën e dytë dhe të katërt, ditët këmbehen: pra 2 ditët e para të javës nxënësit janë online dhe 3 ditët e tjera të javës me prezencë fizike në shkollë.
Në varësi të situatës së krijuar nga pandemia COVID-19, në rast se shkollat kanë situata të rënduara në stafet mësimore apo tek nxënësit, me urdhër të MASR, mund të aplikohet skenari kur vetëm klasat fillore (nga 1 tek e 5) dhe maturantët zhvillojnë mësimin në klasë. Ndërsa klasat e tjera bëhen online.
Dhe në raste më të rënduara, vetëm klasa 1 dhe klasa 12-të në mjediset fizike të shkollës, ndërsa të gjitha klasat e tjera do të zhvillojnë mësimin online.
Dua të theksoj gjithashtu që në raste të veçanta, kur ka raporte mjekësore, apo me kërkesë të prindit, nxënësit mund ta zhvillojnë mësimin tërësisht online, duke kaluar nga një grup në tjetrin brenda klasës.
Për ato shkolla, publike apo private, në qytet apo fshat, ku numri i nxënësve nëpër klasa është i ulët dhe nuk ka raste të infektuarish me COVID-19, mund të vazhdojë të zbatohet skenari i parë, siç është në fuqi, natyrisht në zbatim të rregullave dhe protokolleve shëndetësore dhe me mirëkuptimin e prindërve.
Gjatë gjithë kësaj periudhe, kanali i dedikuar “RTSH Shkolla” dhe platforma online “Akademi.al” do të jenë në dispozicion të nxënësve dhe mësuesve në mbështetje të procesit mësimor.
Me këtë rast, dua të shpreh angazhimin maksimal të MASR për të qenë pranë jush në çdo moment, për t’ju asistuar e ndihmuar në çdo rrethanë e vështirësi që mund të paraqitet. Është një sfidë që pa dyshim do ta kapërcejmë të gjithë së bashku, duke ofruar sa më shumë bashkëpunim, mirëkuptim dhe solidaritet për njëri-tjetrin, veçanërisht me ju prindër të dashur.
Më lejoni që përmes këtij mesazhi të përshëndes edhe të gjithë studentët dhe stafet pedagogjike të institucioneve tona të Arsimit te Lartë. Për ta, Komiteti i Ekspertëve ka sugjeruar që mësimi online të vazhdojë edhe pas muajit të parë për një afat të pacaktuar në varësi të situatës së pandemisë.
Unë kam shumë besim që edhe universitetet do të vazhdojnë me rigorozitet zbatimin e këtij skenari, për të cilin janë të përgatitur dhe kanë krijuar tashmë një eksperiencë edhe gjatë muajve të parë të pandemisë, por edhe gjatë këtij muaji sfidues të fillimit të vitit të ri akademik.
Në fund, dua të përsëris një apel për të gjithë ju, që ashtu siç keni qenë model deri tani nëpër shkolla, të vazhdojmë me respektimin e protokolleve shëndetësore dhe masave anti-COVID, të cilat janë aq shumë të nevojshme për të ruajtur shëndetin e gjithsecilit dhe për ta kapërcyer sa më parë këtë situatë.
Mbetem e hapur ndaj çdo kërkese apo sugjerimi që keni, duke kontaktuar si drejtuesit e institucioneve arsimore, ashtu dhe mua në adresën personale të e-mailit”, u shpreh Evis Kushi./mv.abcnews.al